Protestat hyjnë në ditën e katërt: 47 të arrestuar, Rama refuzon dorëheqjen dhe tensionet shtrihen në qytete të tjera

Studentët dhe gjimnazistët vijojnë sot protestat për të katërtën ditë radhazi. Dita e mëparshme u shënua nga përplasje me Policinë, dëmtime të institucioneve dhe pronës publike e private, si dhe tubime në disa qytete.

Kryeministri Edi Rama nuk pranoi të japë dorëheqjen, megjithëse protestuesit i kishin lënë afat deri në orën 13:00 të së enjtes.

Të lidhura

None found

Ata paralajmëruan se, nëse kërkesa refuzohej, do të marshonin drejt Presidencës për të kërkuar shpërndarjen e Parlamentit.

Të dhënat e përditësuara për Tiranën tregojnë se 47 persona janë arrestuar për shkatërrim prone dhe 92 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia raportoi se gjatë protestës së 14 tetorit u dëmtuan institucione shtetërore, banka, biznese, bankomate, kamera, semaforë e automjete. Një automjet policie u dogj.

Marshimi në kryeqytet nisi nga Ministria e Arsimit dhe vijoi drejt selisë së Partisë Socialiste, Bankës së Shqipërisë, Bashkisë së Tiranës e më pas Kryeministrisë.

Gjatë përplasjeve u hodhën gurë, sende të forta dhe molotovë, ndërsa Policia ndërhyri me ujë e gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Situata u tensionua edhe në Rrugën e Elbasanit, ku një kioskë mori flakë.

Tubime pati gjithashtu në Durrës, Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Kamzë. Në Shkodër u sulmuan godinat e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Komandanti i forcave të rendit, Fasli Rama, u plagos rëndë nga një gur në kokë dhe u dërgua në Tiranë për trajtim të specializuar.

Në Durrës, të rinjtë u vunë flakën koshave të mbeturinave dhe pemëve pranë Bashkisë, ndërsa u raportua edhe thyerja e derës së Prefekturës. Në Elbasan u shënuan tensione dhe u shoqëruan protestues.

Studentë e gjimnazistë në disa qytete bojkotuan mësimin. Në Korçë, mbi 80% e studentëve të Fakultetit të Bujqësisë munguan në auditorë, kurse në Shkodër studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja protestuan.

Në Tiranë, gjimnazistë të shkollave “Ismail Qemali” dhe “Petro Nini Luarasi” u përfshinë në zhvillime të tensionuara; marshimit iu bashkuan edhe nxënës nga Kamza.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve të distancohen nga dhuna dhe paralajmëroi zbatimin e ligjit nëse tensionet përshkallëzohen.

Policia u bëri thirrje prindërve t’i mbajnë fëmijët larg përplasjeve, pasi kishte konstatuar të mitur në vijën e parë të protestave. Edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, kërkoi që prindërit të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në akte dhune dhe që protestat t’i hapin rrugë dialogut.

Seanca plenare është shtyrë me një javë, njoftoi kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, duke thënë se vendimi synon të shmangë provokime të tjera.

Ai dënoi dhunën dhe paralajmëroi se përshkallëzimi mund të dëmtojë integrimin europian të Shqipërisë. Presidenti Bajram Begaj bëri thirrje për qetësi e dialog gjithëpërfshirës, ndërsa Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u shpreh e gatshme të ndihmojë në lehtësimin e dialogut mes palëve.

Partia Socialiste deklaroi se përgjegjësit e akteve të dhunës do të përballen me ligjin. Ndërkohë, Bashkia e Shkodrës ka nisur të vendosë barriera metalike në godinën e saj përpara protestave të paralajmëruara.

Në përgjigjet dhënë agjencisë Reuters, Rama tha se qeveritë ndryshohen me zgjedhje demokratike dhe se nuk do të lejojë që dhuna të vërë në rrezik synimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Ai deklaroi se është i gatshëm të diskutojë rritjen e kostove të arsimit, por theksoi se sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimi i pronës nuk kanë lidhje me kërkesat legjitime të studentëve.

Me hyrjen e protestave në ditën e katërt, vëmendja është te vazhdimi i tubimeve dhe reagimi i institucioneve pas rritjes së tensioneve dhe refuzimit të kryeministrit për të lënë detyrën.