Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, do të flasë sot para mediave për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Të lidhura
None found
Takimi me gazetarët është caktuar të nisë në orën 12:00 dhe do të zhvillohet në sallën e konferencave të objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës.
Një ditë më parë, Rama deklaroi se Kosova mund të humbasë të drejtën për të organizuar edicionin e vitit 2030. Në mbështetje të këtij paralajmërimi, ai publikoi një letër të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, reagoi pas deklaratës së Ramës, duke siguruar se Kosova do t’i zhvillojë këto gara dhe se Qeveria do të garantojë organizimin e tyre.
Përmes një postimi në Facebook, Gashani e kundërshtoi vendimin e Ramës për të bërë publike korrespondencën. Sipas tij, letra e publikuar nuk përfshin të gjitha komunikimet dhe angazhimet e institucioneve.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës”, ka shkruar Gashani.
Ministri nënvizoi se angazhimi i Qeverisë për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare vazhdon të jetë i palëkundur, ndërsa problematikat e paraqitura po adresohen përmes koordinimit ndërinstitucional.
Rama iu përgjigj Gashanit me një mesazh të shkurtër: “Ministër, përktheje letrën”.
Gjatë konferencës së sotme, kryetari i Prishtinës pritet të japë sqarime të mëtejshme për letrën e ICMG-së dhe për zhvillimet që lidhen me organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.







