Përshkallëzohen tensionet në bulevard, gazetari: Policia nis shoqërimin e protestuesve

Gazetari i Euronews, Eni Ferhati, raportoi nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” se përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë.

Sipas tij, forcat operacionale dhe efektivët civilë kanë nisur shoqërimin e personave që ndodhen në protestë.

Të lidhura

None found

Ferhati tha se, megjithëse u krijua përshtypja se tubimi ishte shpërndarë, protestuesit janë mbledhur përsëri në bulevard. Ai raportoi se një pjesë e tyre tentoi të afrohej pranë Kryeministrisë, por u përball me gaz lotsjellës. Në atë zonë kaloi edhe një automjet policie, i cili u godit me gurë nga protestuesit.

Gazetari bëri të ditur se pranë Ministrisë së Brendshme janë shoqëruar dy persona, ndërsa raste të tjera shoqërimi janë regjistruar edhe pranë Shallvareve. Ndërkohë, protestuesit kanë bërë thirrje për t’u rikthyer pranë Kryeministrisë.

Shumë prej protestuesve, sipas tij, mbanin maska, ujë, serume dhe pajisje të tjera për t’u përballur me reagimin e policisë. Ferhati shtoi se organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet e policisë dhe ato politike për këtë protestë.