Kos paralajmëron sërish Kosovën: Ndryshimet për Specialen do të shënonin kthim të rëndë prapa drejt BE-së

Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka cilësuar të papranueshme ndryshimet e fundit në ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke paralajmëruar se miratimi dhe zbatimi i tyre do të cenonin zotimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Të lidhura

None found

Këtë qëndrim ajo e bëri publik në X pas takimit të sotëm me kryenegociatorin e Kosovës për integrim evropian, Jeton Zulfaj. Në qendër të bisedës së tyre ishte rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në BE.

Sipas Kos, ndërhyrjet në ligjin për Dhomat e Specializuara, nëse miratohen dhe zbatohen, do të shënonin një kthim të rëndë prapa në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ajo nënvizoi se respektimi i sundimit të ligjit dhe pavarësia e institucioneve gjyqësore mbeten thelbësore për përgatitjen e hapave të ardhshëm në këtë proces.

Në të njëjtin postim, komisionarja vlerësoi përparimin e Kosovës në reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe me Planin e Rritjes, pavarësisht paqëndrueshmërisë institucionale që ka karakterizuar dy vjetët e fundit. Kos evidentoi gjithashtu hapa pozitivë në përgatitjet për anëtarësimin në SEPA.


Shtuar më 15.10.2026 20:13