QSUT ka bërë të ditur, përmes një njoftimi zyrtar në orën 19:15, informacionin më të fundit për gjendjen e personave të lënduar gjatë protestës.
Gjatë ditës së sotme, në Spitalin Universitar të Traumës janë marrë në trajtim 26 persona, mes tyre efektivë policie, protestues dhe kalimtarë. Aktualisht, dy punonjës policie vijojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve.
Të lidhura
None found
Efektivi me inicialet D.K. ndodhet i shtruar në shërbimin e Neurokirurgjisë, ku po monitorohet më tej, ndërsa gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë.
Ndërkohë, efektivi F.R., i ardhur nga Shkodra, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për shkak të një dëmtimi në kokë dhe pritet reagimi i tij.
Nën kujdesin mjekësor janë edhe dy protestues, të cilët paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore dhe stabël për momentin.
Tre kalimtarë kanë mbërritur pak minuta më parë në spital dhe, sipas njoftimit, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
QSUT bën me dije se aktualisht nuk ka persona të tjerë të lënduar në këtë spital.







