Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, zhvilloi një vizitë në Njësinë Rajonale të Ministrisë në Kumanovë, ku bisedoi me stafin e këtij institucioni dhe me fermerë nga rajoni.
Të lidhura
None found
Gjatë vizitës u bë edhe dorëzimi i kartelave për naftën e gjelbër, në kuadër të masës 10 të Programit për Mbështetje Financiare në Bujqësi për vitin 2026.
Në zonën që administrohet nga Njësia Rajonale e Kumanovës, ku bëjnë pjesë edhe komunat e Likovës dhe Nagoriçanit të Vjetër, do të shpërndahen 3.641 kartela. Vlera totale e mbështetjes arrin në 33.227.969 denarë.
Për zbatimin e kësaj mase në të gjithë vendin janë ndarë 564 milionë denarë, të destinuara për 48.037 kartela. Shuma që përfiton secili bujk llogaritet në bazë të sipërfaqes së tokës dhe kulturës së kultivuar, ndërsa varion nga 3.200 deri në 12.000 denarë për hektar.
Hoxha tha se kostot e larta të prodhimit bujqësor e bëjnë të nevojshme mbështetjen përmes programit të naftës së gjelbër, me synim lehtësimin e barrës financiare për fermerët. Ai vlerësoi gjithashtu punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm, duke theksuar se prodhimi vendas mbështetet te angazhimi i bujqve.
Gjatë takimit, zëvendësministri shprehu mirënjohje edhe për punonjësit e Njësisë Rajonale në Kumanovë, për angazhimin në ofrimin e shërbimeve për fermerët dhe në zbatimin e masave të mbështetjes.






