Tre kompanitë private të pensioneve në Maqedoni menaxhonin deri në fund të shtatorit asete neto në vlerën 215.1 miliardë denarë, ose afërsisht 3.5 miliardë euro. Në krahasim me muajin e kaluar, kjo shumë është rritur me 1.3 përqind. Të dhënat e Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimit të Pensioneve të Financuara Plotësisht (MAPAS) tregojnë se në këto fonde janë të anëtarësuar 642.652 persona.
Të lidhura
None found
“KB Prvo” administron pjesën më të madhe të mjeteve, me 103.2 miliardë denarë. Pas saj renditet Sava me 91.2 miliardë denarë, ndërsa Triglav ka 20.8 miliardë denarë. Bëhet fjalë për kursime të shtyllës së dytë pensionale, ku kontributet depozitohen në llogari individuale dhe investohen për të krijuar të ardhura për pensionin e ardhshëm të të siguruarve.
Rritja e vlerës së kursimeve ndodh në një periudhë kur po rikthehet debati për qëndrueshmërinë e sistemit pensional dhe ndryshimet e mundshme në mënyrën e funksionimit të tij. Kryeministri Hristijan Mickoski kishte përmendur më herët mundësinë e nacionalizimit të aseteve të shtyllës së dytë, deklaratë që solli reagime nga shoqëritë që administrojnë fondet pensionale.
Shoqata e Shoqërive të Menaxhimit të Fondeve të Pensioneve vlerësoi se një masë e tillë nuk do të ishte zgjidhje afatgjatë për vështirësitë e sistemit. Ajo theksoi se paratë e shtyllës së dytë janë pronë individuale e të siguruarve dhe, në rast vdekjeje, mund t’u kalojnë trashëgimtarëve. Sipas Shoqatës, kalimi i këtyre mjeteve në fondin shtetëror të pensioneve do të sillte vetëm një lehtësim të përkohshëm.
Megjithëse vlera e përgjithshme e aseteve të mbledhura arrin në miliarda euro, kjo nuk garanton që çdo anëtar do të përfitojë pension të lartë. Pagesa për secilin të siguruar përcaktohet nga kontributet e derdhura, kohëzgjatja e sigurimit dhe fitimet e realizuara përmes investimeve./Telegrafi/






