Rama paralajmëron se Kosova mund të humbasë Lojërat Mesdhetare dhe kritikon Qeverinë e Kurtin

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin se Kosova mund të mos i mbajë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Sipas tij, institucionet qendrore nuk kanë kthyer përgjigjet e nevojshme për përgatitjet.

Të lidhura

None found

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka konfirmuar mungesën e përgjigjeve nga institucionet. Ai njoftoi se situata do të shqyrtohet më 19 dhjetor dhe se më pas mund të thirret një Asamble e Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.

Rama theksoi se Prishtina i ka përmbushur detyrat e saj: ka përgatitur Masterplanin, ka caktuar projektet dhe lokacionet, si dhe i ka miratuar ato përmes votimit në Asamblenë e Kryeqytetit.

Ai drejtoi kritika ndaj Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, duke pretenduar se mosveprimi i institucioneve po e vë në rrezik një mundësi historike për Kosovën.

“Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, shkroi Rama, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme nëse dështon organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030.

Prishtina ishte zgjedhur nikoqire e këtij aktiviteti sportiv, i cili kërkon investime dhe bashkërendim ndërinstitucional për të realizuar projektet e planifikuara.

Postimi i plotë i Përparim Ramës:

KOSOVA NË PRAG TË HUMBJES SË “LOJËRAVE MESDHETARE 2030”!

Ajo që kemi paralajmëruar vazhdimisht, sot po konfirmohet zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG)!

Prishtina i ka fituar Lojërat Mesdhetare 2030.

Kemi punuar në Masterplan, kemi përcaktuar projektet dhe lokacionet dhe i kemi votuar ato në Asamblenë e Kryeqytetit.

Tash, kur është radha e Qeverisë qendrore dhe Komitetit Organizativ, në krye të të cilit Albin Kurti e ka vendosur vetveten, si asnjë shtet tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë këtë mundësi historike!

Sot, ICMG konfirmon mungesën e përgjigjeve institucionale. Si rrjedhojë, më 19 dhjetor do të shqyrtohet situata dhe do të procedohet me thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme që do të vendosë për të ardhmen e Lojërave.

Kjo është humbja ma e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj!