Protestat në Tiranë, OVL-ja dënon keqpërdorimin e flamurit të UÇK-së dhe kërkon respektimin e simbolit

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj keqpërdorimit të flamurit me simbolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në protestat e Tiranës. Organizata ka dënuar çdo keqpërdorim të tij, duke i konsideruar këto veprime akte vandalizmi.

Të lidhura

None found

Në reagimin e saj, OVL-ja u ka kërkuar organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të mbrojnë dinjitetin dhe shenjtërinë e simbolit të UÇK-së. Ajo ka theksuar se e drejta e çdo qytetari për të protestuar nuk nënkupton që pakënaqësia, pavarësisht sa e madhe është, lejon lidhjen e këtij flamuri me dhunën, shkatërrimin apo plaçkitjet.

Sipas organizatës, flamuri i UÇK-së nuk shërben për të përligjur asnjë veprim. Ky simbol mishëron Luftën Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët e kombit dhe lirinë e arritur përmes sakrificës së tyre.

Për këtë arsye, OVL-ja ka nënvizuar se simboli nuk mund të shfrytëzohet në asnjë rast për të justifikuar, identifikuar apo mbuluar veprime që cenojnë pronën publike ose private.


Shtuar më 15.10.2026 12:55