Kurti: Financimi për ish-drejtuesit e UÇK-së parashikohet në Buxhetin e vitit 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me proces gjyqësor në Hagë, do të planifikohet në Buxhetin e vitit 2027. Ai sqaroi se paraprakisht duhet të hartohet strategjia shtetërore për ndihmën juridike dhe institucionale gjatë procedurave të apelit.

Të lidhura

None found

Përgjigjja e Kurtit erdhi pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila kërkoi të dinte se kur do të ndaheshin fondet. Kryeministri tha se fillimisht duhet të përcaktohen vizioni, mekanizmat dhe masat e strategjisë, ndërsa më pas do të vlerësohen kostot e zbatimit.

“Në mbledhjet e Qeverisë do ta votojmë Buxhetin për vitin 2027 dhe në të do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, përfshirë edhe mbështetjen financiare për katër ish-krerët e UÇK-së. Megjithatë, së pari duhet të hartohet strategjia shtetërore dhe më pas të përcaktohen kostot. Fillimisht duhet të vendosen ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e jo të përcaktohet kostoja para tyre”, tha Kurti.

Ai shtoi se puna duhet t’i lihet grupit punues të krijuar nga Qeveria, duke theksuar se nuk mund të paraqitet si zëdhënës i procesit që do të zhvillojë ky grup.

Qeveria ka ngritur grupin punues për përgatitjen dhe koordinimin e strategjisë shtetërore. Drejtimin e tij do ta marrë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas kryeministrit, grupi do të sigurojë mbështetje juridike dhe institucionale për procedurat e apelit, ndërsa do të koordinojë edhe veprimet diplomatike që synojnë dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin në arenën ndërkombëtare të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës. Ai do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për të përcaktuar nevojat për dokumente, ekspertizë profesionale dhe ndihmë institucionale, duke përfshirë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë.

Një pjesë e rëndësishme e mandatit të grupit do të jetë sistemimi dhe shqyrtimi i dokumenteve historike, juridike dhe gjyqësore, përfshirë materialet e gjykimeve të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës dhe Serbisë. Kurti tha se kjo bazë dokumentare do të përdoret për të mbështetur ekipet mbrojtëse dhe për të ndërtuar një komunikim ndërkombëtar të qëndrueshëm, të bazuar në fakte dhe argumente.

Kurti e përshkroi këtë nismë si një angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak, duke nënvizuar se UÇK-ja dhe lufta çlirimtare e popullit përbëjnë një trashëgimi të përbashkët. Sipas tij, mbrojtja e së vërtetës së kësaj lufte shkon përtej mandateve qeverisëse dhe dallimeve partiake. Grupi punues është ngarkuar të hartojë propozimin fillestar të strategjisë, duke përcaktuar masat prioritare, institucionet përgjegjëse dhe afatet e zbatimit.


Shtuar më 15.10.2026 12:09