Gian Piero Gasperini nuk e fshehu pakënaqësinë pas humbjes së Romës ndaj Real Madridit, duke vlerësuar se skuadra e tij kishte qenë më e mirë gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, por u ndëshkua rëndë nga tre gola të pësuar pas goditjeve nga këndi.
Të lidhura
None found
Roma dukej pranë një suksesi të rëndësishëm, pasi kishte krijuar avantazh 3-1 me golin e Marten de Roon dhe dy realizimet e Donyell Malen. Megjithatë, nga minuta e 83-të deri në të 90-tën, mbrojtja romake u thye tri herë radhazi në situata standarde.
Carlos Espi, Endrick dhe ish-lojtari i Romës, Antonio Rudiger, shënuan në aksione të ngjashme dhe i siguruan Real Madridit një fitore 4-3, pas një përmbysjeje spektakolare.
Trajneri i Romës tha për Sky Sport Italia dhe Amazon Prime Video Italia se ekipi i tij humbi kontrollin në momentet e fundit, ndonëse kishte bërë një paraqitje bindëse.
“Edhe gjatë pjesës së parë ata fituan disa goditje nga këndi, por në fund dukej sikur frika na paralizoi. Real Madridi shënoi me shumë lehtësi”, deklaroi Gasperini.
Ai shtoi se mënyra e përfundimit të takimit e bëri humbjen edhe më të dhimbshme: “Na vjen jashtëzakonisht keq, sepse një ndeshje e zhvilluar në këtë mënyrë nuk duhej të kishte këtë epilog”.
Gjatë 45 minutave të para, madrilenët regjistruan vetëm një goditje në kuadrat, atë që solli golin e Kylian Mbappes. Në anën tjetër, portieri Thibaut Courtois u detyrua të ndërhynte disa herë për ta mbajtur Real Madridin në lojë.
Megjithëse rezultati ishte i hidhur, Gasperini u kërkoi lojtarëve të mos harrojnë paraqitjen pozitive dhe të ndërtojnë mbi atë që funksionoi mirë gjatë ndeshjes.
“Duhet të përfitojmë nga gjërat pozitive. Kjo humbje është shumë e rëndë, por duhet ta lëmë shpejt pas, sepse në të kundërt mund të rrezikojmë të fshijmë gjithçka të mirë që treguam”, u shpreh ai.
“Është e vështirë ta pranosh një humbje të tillë, pasi Roma bëri shumë gjëra siç duhej, por i shkatërroi në fund. Edhe pse Real Madridi është i rrezikshëm në goditjet standarde, ne u treguam shumë pasivë dhe kjo është për të ardhur keq”, vijoi trajneri.
Pas ndeshjes, Jose Mourinho e kishte përshkruar Romën si “të vdekur” në minutat e fundit. Gasperini nuk e la pa përgjigje këtë deklaratë të portugezit.
“Nëse një skuadër dukej sikur i kishin mbaruar energjitë, ajo ishte Real Madridi. Ne ishim dukshëm më të mirë në çdo aspekt. Ata shënuan vetëm nga goditjet nga këndi, ndërsa në pjesën tjetër të lojës treguam se mund të përballeshim me ta”, përfundoi Gasperini.






