Mbi 25 mijë konsumatorë në Prishtinë marrin ngrohje nga sot, Termokos hap sezonin 2026/2027

Sezoni i ngrohjes 2026/2027 hapet zyrtarisht sot, më 15 tetor, për mbi 25 mijë konsumatorë të lidhur me rrjetin e kryeqytetit. Ndërmarrja publike “Termokos” njoftoi se të gjitha kushtet e domosdoshme për nisjen e furnizimit janë plotësuar.

Të lidhura

None found

Ngrohja fillimisht do të ofrohet me kapacitet të kufizuar. Sipas ndërmarrjes, kapaciteti do të shtohet në mënyrë graduale derisa furnizimi të stabilizohet plotësisht për të gjithë konsumatorët, me qëllim mbrojtjen e pajisjeve dhe ruajtjen e funksionimit të qëndrueshëm të sistemit.

Përgatitjet për sezonin e ri janë përmbyllur gjatë ditëve të fundit, bëri të ditur Termokosi. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe nënshkrimi i marrëveshjes me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) për furnizimin me energji.

Pas shqyrtimit të gatishmërisë për sezonin, kryeshefi ekzekutiv i Termokosit, Bersant Beka, së bashku me menaxhmentin, ka arritur në përfundimin se janë siguruar të gjitha kushtet e nevojshme për nisjen e ngrohjes.

Ndërmarrja sqaroi se data 15 tetor për fillimin zyrtar të sezonit ngrohës 2026/2027 për mbi 25 mijë konsumatorët e kyçur në rrjetin e kryeqytetit mbështetet në këtë vlerësim, në legjislacionin në fuqi dhe në kushtet klimatike.

Plotësimi i kushteve për hapjen e sezonit është vlerësuar gjithashtu në koordinim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese të ndërmarrjes.


Shtuar më 15.10.2026 08:23