Protesta studentore përshkallëzohet në Tiranë, flakë pranë institucioneve dhe përplasje me policinë

Protestat e studentëve dhe të rinjve kanë vijuar në Tiranë, duke u shtrirë në disa prej rrugëve dhe zonave kryesore të kryeqytetit. Pakënaqësia lidhet me mënyrën e qeverisjes, vështirësitë e jetesës, rritjen e çmimeve dhe kushtet e mësimit e të akomodimit në konvikte, të cilat studentët i konsiderojnë të papërshtatshme dhe jo dinjitoze.

Tubimi i sotëm u përshkallëzua me përplasje mes protestuesve dhe policisë. Forcat e rendit përdorën në mënyrë të gjerë gaz lotsjellës, ndërsa demonstruesit vijuan qëndrimin në rrugë dhe nuk u tërhoqën.

Të lidhura

None found

Gjatë protestës u shënuan edhe incidente me zjarrvënie. Disa institucione u përfshinë nga flakët, ndërsa në to u dogjën karrige dhe tavolina. Po ashtu, u raportua për djegie koshash në zona të ndryshme të Tiranës.

Përplasjet u regjistruan edhe pranë Kryeministrisë. Më pas, protestuesit u shpërndanë drejt zonës së “Piramidës” dhe Kryesisë së Kuvendit, ku hapën me forcë derën e godinës dhe ndezën zjarr në hyrje.

Flakët përfshinë gjithashtu një biznes pranë zonës së “Kullave Binjake”. Në terren u vunë re forca të shumta policie dhe autobotë uji, ndërsa ndërhyrja e autoriteteve nuk e ndali vijimin e protestës.

Thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij shoqëruan tubimin, i cili tashmë ka marrë edhe një karakter të theksuar politik. Demonstruesit kërkojnë largimin e qeverisë.

Në qendër të vëmendjes publike janë edhe debatet rreth çështjes së AKSHI-t dhe zhvillimet që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), duke shtuar interesin ndaj institucioneve.