Protesta studentore, e nisur që në orët e para të mëngjesit, vijon mes përplasjeve dhe tensioneve në kryeqytet.
Në Rrugën e Durrësit janë krijuar disa vatra zjarri, ndërsa forca të shumta policie janë dislokuar në zonë. Pranë kësaj rruge dhe qendrës së Tiranës, protestuesit i kanë vënë flakën edhe një kulle shumëkatëshe të sapondërtuar.
Të lidhura
None found
Një grup studentësh është zhvendosur drejt “Zogut të Zi”, ndërsa të tjerë janë shpërndarë në një tjetër pjesë të Tiranës, duke shkaktuar kaos. Policia ka reaguar me forcë ndaj situatës.
Protestuesit kanë sulmuar disa institucione, mes tyre Ministrinë e Financave, Ministrinë e Drejtësisë dhe Bashkinë e Tiranës, ku është raportuar edhe vënie zjarri. Në zonën e “Zogut të Zi” janë thyer xhamat dhe i është vendosur flaka filialit të Tirana Bank.
Protestuesit qëndruan për disa orë edhe pranë Kryeministrisë, ku u shënuan përplasje me forcat e policisë. Efektivët iu përgjigjën situatës duke përdorur gaz lotsjellës.







