Egnatia përballë dy sfidave, Nevil Dede kërkon menaxhim të kujdesshëm të energjive

Egnatia do të nisë nesër një kapitull të ri në arenën ndërkombëtare, teksa në orën 18:45 do të përballet me Midtjylland në ndeshjen e vlefshme për Conference League.

Të lidhura

None found

Për rrogozhinasit kjo është paraqitja e parë në këtë fazë të kompeticionit evropian. Skuadra synon ta nisë aventurën në mënyrën më pozitive, por përballë do të ketë një kundërshtar danez që nuk lejon hapësirë për nënvlerësim.

Ngjeshja e kalendarit ka krijuar shqetësim në kampin e Egnatias. Pas fitores në transfertë ndaj Laçit, trajneri Nevil Dede theksoi se ekipi duhet të tregojë kujdes të veçantë në administrimin e energjive.

Klubi do të ketë një sezon të ngarkuar, pasi në Conference League do të luajë 6 takime në fazën e ligës, ndërsa në Superiore do të përpiqet të ruajë titullin e kampiones në fuqi. Në kampionat, Egnatia përballet me konkurrencën e Teutës kryesuese dhe Dinamos, e cila ndodhet gjithashtu brenda top 3-shes.

Menaxhimi i ngarkesës do të jetë vendimtar edhe për të shmangur dëmtimet, të cilat mund të prishin planet e trajnerit Dede në sfidat e ardhshme. Përpara përballjes së nesërme në “Air Albania” kundër Midtjylland, grupi është në dispozicion të stafit, me përjashtim të Bakayokos, i cili ka nevojë për më shumë kohë për rikuperimin e plotë dhe rikthimin në fushë.

Në aspektin taktik, Nevil Dede do të ketë detyrën të përcaktojë mënyrën e organizimit të skuadrës, në mënyrë që Egnatia të ndjekë objektivat e saj dhe të konsolidojë identitetin e krijuar në nisje të këtij sezoni të ri.


Shtuar më 14.10.2026 16:33