Prof. Dr. Muhamet Racaj e ka cilësuar si shqetësuese deklaratën e zyrtarit serb Ivica Daçiq se flamuri i Serbisë “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, duke vlerësuar se një qëndrim i tillë prek sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Të lidhura
None found
Në një prononcim për “Bota sot”, Racaj ka thënë se deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë mund të shërbejnë për nxitjen e nacionalizmit, forcimin e pretendimeve territoriale dhe krijimin e presionit psikologjik ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, deklarata e Daçiqit duhet parë si një sinjal politik dhe simbolik kërcënues, por nuk mund të interpretohet automatikisht si dëshmi e një plani të menjëhershëm për sulm ushtarak.
“Fakti që një zyrtar i lartë i Serbisë deklaron se flamuri serb ‘herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren’ është shqetësues, pasi kjo retorikë prek drejtpërdrejt sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Një gjuhë e tillë mund të ushqejë nacionalizmin, pretendimet territoriale dhe presionin psikologjik ndaj qytetarëve e institucioneve”, ka deklaruar Racaj.
Ai ka shtuar se duhet bërë dallimi mes retorikës kërcënuese dhe përgatitjeve konkrete ushtarake. “Deklarata, e marrë më vete, nuk dëshmon një plan të menjëhershëm sulmi, por mbetet një sinjal politik që institucionet e sigurisë nuk duhet ta shpërfillin”, ka theksuar ai.
Racaj ka vlerësuar se reagimi i Prishtinës duhet të jetë i matur dhe i mbështetur në fakte, pa nxituar drejt panikut apo reagimeve emocionale. Për të, vlerësimi juridik i deklaratës kërkon analizimin e formulimit të plotë, kontekstit dhe rrethanave në të cilat është bërë.

“Nga aspekti i sigurisë, kjo deklaratë mund të shihet si kërcënim politik dhe simbolik ndaj sovranitetit të Kosovës. Megjithatë, për ta vlerësuar atë në aspektin juridik, duhet të shqyrtohen formulimi i plotë, konteksti dhe rrethanat konkrete”, është shprehur profesori.
Ai ka nënvizuar se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të kontestohen përmes deklaratave nacionaliste, ndërsa mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut dhe së drejtës ndërkombëtare.
“Prishtina duhet të reagojë me seriozitet, por pa panik dhe pa emocione. Përgjigjja duhet të jetë e matur, e bazuar në fakte dhe e koordinuar me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Racaj.
Profesori ka renditur edhe disa masa që, sipas tij, duhet të ndërmerren nga institucionet përgjegjëse të Kosovës.
Ndër hapat kryesorë ai ka përmendur kryerjen e vlerësimeve të vazhdueshme të rrezikut, përfshirë analizimin e aktiviteteve ndërkufitare, dezinformimit dhe përpjekjeve për nxitjen e tensioneve.
Racaj ka kërkuar gjithashtu ruajtjen e gatishmërisë së Policisë së Kosovës, veçanërisht në zonat e ndjeshme, duke zbatuar masa proporcionale për parandalimin e incidenteve dhe garantimin e mbrojtjes së qytetarëve.
Sipas tij, duhet të forcohet koordinimi dhe shkëmbimi i informacionit me KFOR-in, NATO-n, EULEX-in, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Një tjetër masë e nevojshme, sipas profesorit, është përdorimi i diplomacisë së sigurisë për informimin e partnerëve strategjikë dhe kërkimin e përgjegjësisë për deklaratat që mund të destabilizojnë situatën.
Ai ka theksuar edhe rëndësinë e rritjes së qëndrueshmërisë ndaj luftës hibride, përmes luftimit të dezinformimit, forcimit të mbrojtjes kibernetike dhe komunikimit publik të bazuar në fakte.
Po ashtu, Racaj ka bërë thirrje për investime në profesionalizëm, trajnim, pajisje moderne dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me qëllim forcimin e institucioneve të sigurisë.
Në përfundim, Prof. Dr. Muhamet Racaj ka thënë se deklarata e Daçiqit duhet të shihet si një arsye për vigjilencë institucionale dhe jo si shkak për frikë.
“Kosova duhet të veprojë me maturi, vendosmëri dhe përgatitje profesionale, duke e mbrojtur sovranitetin përmes institucioneve funksionale, diplomacisë aktive, partneritetit me NATO-n dhe unitetit qytetar. Paqja në rajon nuk ndërtohet mbi pretendime territoriale, por mbi respektimin e sovranitetit, dialogun dhe të drejtën ndërkombëtare”, ka përfunduar Racaj për “Bota sot”.





