Gjykata ka caktuar 30 ditë paraburgim për të dyshuarin N.M., lidhur me rastin e vrasjes në tentativë që kishte ndodhur më 30 shtator në Vushtrri.
Të lidhura
None found
Vendimin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësja e Gjykatës, Hateme Haxhaj.
“Të pandehurit N.M. i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale Vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së, dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, neni 366, paragrafi 1, të KPRK-së”, tha Haxhaj.
Paraburgimi do të llogaritet nga 7 tetori deri më 7 nëntor 2026.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur përmes një përgjigjeje me shkrim për KosovaPress se dy personat e tjerë të dyshuar për këtë rast ndodhen në arrati.
Policia e Kosovës kishte raportuar se viktima, një person i gjinisë mashkullore, dyshohej se ishte sulmuar nga disa persona të panjohur, të cilët e kishin goditur me mjete të forta. Pas lëndimeve të marra, ai ishte dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, autoritetet kishin gjetur një veturë të aksidentuar, katër gëzhoja, një karikator me pesë fishekë dhe një fishek tjetër brenda automjetit.






