Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, mori pjesë në tryezën e zhvilluar nga Avokati i Popullit, ku u prezantua raporti ex officio për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri tha se raporti nxjerr në pah një mungesë të theksuar të mbikëqyrjes së Dhomave të Specializuara nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte mungesa e transparencës për zgjatjen e mandatit të Avokatit të Personit. Sipas Tahirit, nuk janë bërë të qarta procedurat, kriteret dhe rezultatet e punës që kanë shërbyer si bazë për këtë vendim.
“Koha e deklaratave emocionale dhe e lavdërimeve ka kaluar. Tash institucionet e Kosovës duhet të veprojnë duke u mbështetur në fakte dhe standarde të qarta”, deklaroi Tahiri.
Ai kërkoi që Kuvendi i Kosovës, Komisioni për Legjislacion dhe institucionet e tjera t’i shqyrtojnë me përgjegjësi përfundimet e raportit të hartuar nga një institucion i pavarur kushtetues.
Tahiri vlerësoi se Kuvendi i Kosovës e ka kompetencën për ta rishikuar ligjin në përputhje me standardet ndërkombëtare, nëse evidencat tregojnë se ndryshimet janë të domosdoshme.
Në përfundim, deputeti nënvizoi se llogaridhënia përbën një nga parimet bazë të demokracisë.
“Llogaridhënia nuk është çështje zgjedhjeje, por baza e demokracisë”, përfundoi Tahiri.





