Ministri Hoti: Këtë vit janë inspektuar më shumë se 8 mijë biznese për sigurinë në punë

Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, njoftoi se gjatë vitit aktual autoritetet kanë kryer inspektime në mbi 8 mijë biznese dhe lokacione anembanë Kosovës. Ai gjithashtu paralajmëroi nisjen e një fushate ndërgjegjësimi për të përmirësuar kushtet e sigurisë dhe shëndetit në mjediset e punës.

Të lidhura

None found

Lidhur me rastin e punëtorit 54-vjeçar që humbi jetën në një kantier ndërtimi, ministri shprehu ngushëllimet e tij për tragjedinë dhe bëri me dije se Inspektorati është ende duke hartuar raportin për rrethanat e incidentit.

Hoti theksoi se përtej inspektimeve, është po aq e rëndësishme ndërgjegjësimi i kompanive dhe i punonjësve për respektimin e rregullave të sigurisë në punë.

“Kemi marrë disa masa brenda këtij viti. Krahas këtyre masave, kemi inspektuar mbi tetë mijë biznese ose lokacione në Kosovë gjatë vitit. Ndjej keqardhje për humbjen tragjike të 54-vjeçarit një javë më parë. Sipas informacioneve që kam, Inspektorati po përgatit ende një raport dhe bëhej fjalë për një ndërtim që sapo kishte nisur. Ngjarja ndodhi nga kati përdhes drejt bodrumit. E njëjta firmë është inspektuar disa herë, por jo kjo pjesë e ndërtimit, sepse sapo kishte filluar… Ajo që duhet të bëhet është një fushatë vetëdijesimi për bizneset dhe punëtorët. Kompanitë duhet të përmbushin të gjitha kërkesat për siguri dhe shëndet në punë, por edhe punonjësit, të cilët nuk janë të paktë dhe për të cilët bizneset ankohen se nuk po i respektojnë këto detyrime”, u shpreh ai.

Në një temë tjetër, kur u pyet për shtetasit e Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, Hoti tha se autoritetet sllovene kanë kërkuar një takim me institucionet kosovare për të diskutuar migrimin e rregullt të fuqisë punëtore.

Sipas tij, bisedimet pritet të trajtojnë mundësitë për punësim të ligjshëm në Slloveni për punëtorët e kualifikuar që gjenden në Kosovë dhe që synojnë të punojnë atje.

Ai shtoi se nuk mund të komentojë deklaratat politike të kryeministrit slloven, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për çështjet që prekin qytetarët kosovarë jashtë vendit.

“Për sa u përket punëtorëve tanë që punojnë në Slloveni, natyrisht që nuk mund të jetë një qëndrim i tillë politik, por ne nuk mund të komentojmë deklaratat politike që bëjnë kryeministra të ndryshëm. Ju e dini se sa qytetarë punojnë sot në Slloveni dhe nuk ka kaluar shumë kohë që Sllovenia ka kërkuar të zhvillojë një takim me ne për të promovuar mënyrën e migrimit të rregullt në Slloveni për punëtorët e aftë që janë në Kosovë dhe dëshirojnë të punojnë në Slloveni”, theksoi ai.