Analisti politik Faton Mehmeti ka thënë për “Bota sot” se nisma e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e ligjit të Gjykatës Speciale përbën një përpjekje për të pastruar imazhin e kësaj force politike. Ai ka shtuar se këto ndryshime nuk do t’u sillnin asnjë përfitim Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tij, PDK-ja thjesht ka dashur “të lajë fytyrën”, pasi ka qenë lokomotiva e themelimit të Gjykatës Speciale. Kur partia kuptoi se çfarë kishte bërë duke i çuar në bankën e të akuzuarve themeluesit e saj — Thaçin, Veselin, Jakup Krasniqin dhe të tjerët — mori iniciativën për ndryshimin e projektligjit për t’u shpëlarë nga përgjegjësia, edhe pse hipotetikisht këto ndryshime nuk do t’u ndihmonin atyre.
Mehmeti ka vlerësuar se propozimet e reja ka shumë gjasa të hidhen poshtë nga Gjykata Kushtetuese ose nga Gjykata Speciale dhe i ka konsideruar ato si një strategji të PDK-së për t’u distancuar nga përgjegjësia për krijimin e kësaj gjykate.
Ai ka theksuar se partia nuk e kishte pritur që ish-krerët e saj të përfundonin në bankën e të pandehurve.
“Me shumë gjasë kjo do të dështojë, qoftë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, sepse siç e pamë edhe ambasadori gjerman shkoi atje dhe deklaroi qartë se me vendime të Kuvendit nuk mund të ndryshohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimet e Kosovës. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese nuk e rrëzon, besoj se Gjykata Speciale do t’i hedhë poshtë këto ndryshime. Me pak fjalë, siç thotë populli, u tund mali dhe doli miu – pra nuk ka asgjë nga kjo”, është shprehur ai.
Sipas tij, bëhet fjalë vetëm për një strategji të PDK-së për ta shpëlarë veten nga ai veprim, të cilin sot e kanë kuptuar se i ka futur në burg njerëzit e vet.
“Duke u munduar t’ia hapnin varrin tjetrit, ia bënë vetes. Thaçi nuk ka menduar kurrë se do të përfundonte vetë në atë gjykatë; thjesht ka menduar të dërgojë disa njerëz, disa komandantë zonash, e vetë të jetë i pastër”, ka përfunduar Mehmeti.
Në vitin 2015, Kuvendi kishte miratuar bazën ligjore për Gjykatën Speciale me mbështetjen e Hashim Thaçit dhe PDK-së. Në vitin 2026, kjo parti nisi ndryshime ligjore për këtë gjykatë, por Bashkimi Evropian i kundërshtoi, duke theksuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.







