Bashkimi Evropian u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të anulojnë sanksionet kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale, duke paralajmëruar se presioni ndaj saj mund të dëmtojë pavarësinë dhe veprimtarinë e institucionit.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e saj në emër të BE-së, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, tha se GJNP-ja duhet ta ushtrojë mandatin e saj në mënyrë të pavarur, pa ndikime apo ndërhyrje nga jashtë.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë çdo masë të nevojshme për të siguruar vijimësinë dhe efektivitetin e punës së Gjykatës.
Kallas i cilësoi të papranueshme sulmet dhe kërcënimet ndaj Gjykatës, zyrtarëve e punonjësve të saj, si dhe ndaj personave që bashkëpunojnë me të, përfshirë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe ofruesit e shërbimeve.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së mirëpriti vendimin e Uashingtonit për të shtyrë zbatimin e masave, duke e konsideruar këtë një hap që krijon hapësirë për dialog diplomatik dhe për gjetjen e një zgjidhjeje.
Sipas saj, prioritet duhet të jetë heqja e shpejtë e sanksioneve dhe mosvendosja e masave të reja që mund të cenojnë pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Kallas përshëndeti edhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të diskutuar shqetësimet e tyre me shtetet palë të Statutit të Romës, dokumentit themelues të GJNP-së.
Ajo shtoi se BE-ja do të vijojë të mbështesë Gjykatën, duke kontribuar në mbrojtjen e institucionit, stafit të tij dhe të gjithë personave që bashkëpunojnë me të.






