Në dosjen hetimore të SPAK për çështjen që përfshin ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, dhe Ergys Agasin, thuhet se më 20 korrik 2026 në ambientet e “Equos Resort” në Tiranë u sekuestrua automjeti me targë GG 444 AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Sipas procesverbalit të datës 22 korrik 2026, brenda mjetit u gjetën, ndër të tjera, nëntë printime në letër me format të madh, të cilat përmbanin diagrama me të dhëna të ngjashme me ato që prodhon Shërbimi Informativ i Shtetit. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të masës së sigurimit, vetë Ergys Agasi pranoi se makina ishte e tij dhe se i kishte lënë ato materiale me qëllim që t’i gjenin organet e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo situatë duket edhe më e pazakontë, sepse në të njëjtën kohë Vlora Hyseni vijonte përpjekjet për ta nxjerrë nga telashet Ergys Agasin. Ndërkohë, Agasi mesa duket kishte humbur besimin dhe vendosi t’i tradhtonte të gjithë, ose ndoshta po hakmerrej për braktisjen që iu bë.
Të lidhura
None found
Në cilësinë e personit nën hetim, Vlora Hyseni pranoi se kishte pasur komunikime të vazhdueshme me Ergys Agasin gjatë kohës kur ai ishte në arrati. Ajo u mbrojt duke thënë se fliste me të sepse ai i kishte ofruar bashkëpunim, por pa sqaruar se çfarë bashkëpunimi i kishte ofruar dhe kë e kishte vënë në dijeni për këtë kontakt.
Megjithatë, ajo mohoi të kishte pasur takime fizike me Ergys Agasin dhe hodhi poshtë mundësinë që ky i fundit të kishte siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Në dosje theksohet se “Vlora Hyseni mohoi takimet fizike, apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit”, ndërsa u zotua se do të kthente përgjigje zyrtare me shkresë të klasifikuar për origjinën e diagrameve të sekuestruara.
Por për SPAK-un, historia që u përpoq të shiste ish-shefja e SHISH-it nuk qëndron. Sipas prokurorisë, nuk ishte Hyseni ajo që po kërkonte ta përdorte Agasin si bashkëpunëtor për të marrë informacione të vlefshme; përkundrazi, ishte Agasi ai që e përdorte Hysenin, merrte prej saj informacion dhe i diktonte çfarë duhej të bënte më pas.
Sipas SPAK-ut, Hyseni dhe Agasi kanë pasur një komunikim aq të shpeshtë dhe të pandërprerë, sa brenda një dite të vetme kanë shkëmbyer telefonata të vazhdueshme, foto dhe video. Përmbajtja e këtyre materialeve mbetet ende e panjohur, ndërsa nuk përjashtohet që Agasi të ketë përdorur edhe përgjime të paautorizuara që lidhen me Vlora Hysenin ose me persona të tjerë.
Në dosje thuhet se komunikimi i kreut të SHISH-it me personin nën hetim Ergys Agasi, i cili në atë kohë ishte në kërkim nga drejtësia, ka qenë periodik, i përditshëm dhe i tejzgjatur në kohë, duke përfshirë jo vetëm thirrje të thjeshta zanore, por edhe telefonata me video dhe shkëmbime fotosh e videosh. Sipas SPAK-ut, kjo rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i Hysenit.
Në total, për periudhën 28 qershor 2026 deri më 26 gusht 2026, data e arrestimit të Ergys Agasit, përmes aplikacionit “Signal” janë regjistruar thirrje zanore dhe video: 70 thirrje hyrëse nga Vlora për Ergys, 17 thirrje dalëse nga Ergys për Vlorën, 28 të humbura, 25 thirrje pa përgjigje ku Ergys nuk i përgjigjet Vlorës, si dhe thirrje të refuzuara. Ndërsa në funksionin BIOME të telefonit të Ergys Agasit ruhen gjithsej 508 forma komunikimi, përfshirë thirrje, zë, video-thirrje, mesazhe dhe mesazhe në chat, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipërcituar.
Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, kreu i SHISH-it nuk kishte vënë në dijeni asnjë instancë, qoftë paralele apo brenda institucionit.
E veçanta e kësaj historie, e denjë për filma me agjentë dhe grupe kriminale, është se pothuajse të gjithë ishin në dijeni të lidhjes së hapur midis Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, si para se ai të shpallej në kërkim nga policia, ashtu edhe gjatë kohës që ishte në arrati. Thuhet se për të dy ka edhe pamje filmike. Ndërkohë, në këtë histori janë ndaluar edhe biznesmeni nga Durrësi Embro Sulejmani dhe shefi i laboratorit shkencor të policisë, Fatjon Kalluçi.
Sulejmani thuhet se fshiu kamerat e sigurisë në rezidencën qeveritare në Durrës, e cila frekuentohej edhe nga Ergys Agasi. Ky veprim mendohet se është kryer për të zhdukur gjurmët e takimeve të Agasit në ato ambiente. Ndërsa Fatjon Kalluçi, shefi i laboratorit shkencor në Policinë e Shtetit, u vu në pranga në kuadër të hetimit të dosjes së AKSHI-t, ku i hetuari kryesor është Ergys Agasi. Kalluçi merrej me administrimin e provave dhe dokumenteve që lidheshin me krime të ndryshme në Policinë Shkencore.
Megjithatë, pyetja më e madhe mbetet se si Vlora Hyseni arriti në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe kush ia sugjeroi kryeministrit Edi Rama emrin e saj për t’u bërë drejtuese e inteligjencës shqiptare.
Kjo histori e pazakontë, që mund të ndodhë vetëm në një vend si Shqipëria, nis nga fakti se një zv/drejtoreshë e inteligjencës së një shteti tjetër, e larguar nga shërbimi sekret për arsye që nuk dihen, u bë një ditë shefe e inteligjencës së shtetit fqinj. Pavarësisht se dikush mund të pyesë se ku është problemi, thelbi mbetet pikëpyetja mbi figurën e Vlora Hysenit.
Në fund, Hyseni u braktis edhe nga ai që e solli dhe e ngjiti në kreun e SHISH-it, kryeministri Rama, i cili deklaroi se përgjegjësia është individuale dhe se ajo i ka një borxh moral Shqipërisë. Rama u shpreh se “ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveçse ka hyrë në një borxh të madh moral me Shqipërinë, ku mori besim të pakursyer”.
Por çfarë borxhi moral i ka Vlora Hyseni Shqipërisë dhe pse Edi Rama nuk ka një borxh të tillë, kur pikërisht ai e emëroi atë në drejtimin e SHISH-it?
Vlora Hyseni erdhi në Shqipëri në vitin 2021 si një figurë e panjohur për opinionin publik. Për të kuptuar arsyet, mjafton të shihet mënyra se si ajo u largua nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës dhe sa shpejt u pranua e u përqafua nga Rama.
Hyseni u shkarkua nga detyra nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti menjëherë pasi ky i fundit mori për herë të dytë detyrën e kreut të qeverisë më 22 mars 2021. Ajo kishte qëndruar vetëm katër muaj në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ku ishte emëruar në dhjetor të vitit 2020 nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidentja Vjosa Osmani. Më parë, Hyseni kishte qenë nëndrejtore e kësaj agjencie, e emëruar aty nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi, dhe e mbajti këtë detyrë edhe pas largimit si drejtore. Edhe më herët, ajo kishte mbajtur postin e Drejtores së Marrëdhënieve me Jashtë në AKI, një nga detyrat më të rëndësishme aty.
Vendimi i shkarkimit, i datës 30 qershor 2021, përcaktonte se Znj. Vlora Hyseni shkarkohej nga pozita e zëvendësdrejtores së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë. Ajo obligohej të bënte dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ishte ngarkuar, si dhe të ruante të gjitha informacionet e marra gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht mënyrës së qasjes apo posedimit. Në vendim theksohej se zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqiste vepër penale sipas Kodit Penal nr. 06/074 të Republikës së Kosovës, Ligjit nr. 03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, si dhe legjislacionit tjetër përkatës në fuqi për informacionin e klasifikuar.
Pas largimit nga Kurti, Hyseni nuk qëndroi gjatë pa punë. Ajo u shfaq në Tiranë pranë kryeministrit Rama vetëm katër muaj pasi ishte larguar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Rama e emëroi Hysenin këshilltare të tij për sigurinë. Më pas, në vitin 2023, në kulmin e skandalit Mc Gonigal, ai e ngriti në krye të SHISH-it, ndoshta edhe si një gomone shpëtimi për veten, duke përdorur kredencialet që ajo kishte si agjente e certifikuar dhe që kishin dëshmuar besueshmëri te partnerët ndërkombëtarë.
Në propozimin e tij për emërim, Rama deklaroi: “Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj. VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit, me besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar”.
Opozita nuk e pranoi as atëherë këtë emërim, duke e cilësuar si të papërshtatshme dhe të kompromentuar për shkak të punës së saj në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës. Gazment Bardhi shprehej se “Hyseni është shkarkuar nga shërbimet e inteligjencës në Republikën e Kosovës, me dyshimet për zbulim ose mosruajtje të informacioneve të klasifikuara”, dhe se këto raportime ishin shqetësuese dhe ngrinin dyshime mbi integritetin e saj.
Ende nuk dihet kush e solli Vlora Hysenin në Shqipëri, ndonëse dihet kush e priti. Zërat thonë se ajo u njoh me Ergys Agasin pikërisht në korridoret e Kryeministrisë, në kohën kur ai shërbente si eminencë e vetë kryeministrit. Kjo lidhje, sipas tyre, vazhdoi deri në kompromentimin e të dyve.







