Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar ndaj qëndrimeve politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke deklaruar se stabiliteti institucional nuk përbën alternativë politike për të.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zemaj është shprehur se ata që kanë pritur ndryshim të kësaj qasjeje, “herët a vonë janë përballur me të kundërtën”.
Sipas deputetit të LDK-së, edhe kur krijohet përshtypja se është arritur një marrëveshje, pala e Kurtit paraqet një kauzë ose një pretendim të ri, ndërsa përgjegjësinë për krizën përpiqet t’ia ngarkojë palës tjetër.
“Edhe kur mendon se ke dakordim, ata shfaqin një kauzë të re, një mashtrim të ri, ndërsa përgjegjësia për krizën tentohet t’i atribuohet palës tjetër. Jo sepse faktet janë të tilla, por sepse propaganda politike e tyre ushqehet në atë mënyrë”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka vlerësuar se kriza institucionale vijon të jetë “opsioni i tij i vazhdueshëm”, ndërsa bashkëpunimi me Kurtin, sipas tij, mund të realizohet vetëm kur pala tjetër pranon të nënshtrohet.
“Prandaj, kriza institucionale mbetet opsioni i tij i vazhdueshëm. Krejt ata që besojnë në bashkëpunim me të, do t’u dalë gabim; për ta, je i mirë vetëm i nënshtruar”, ka deklaruar deputeti i LDK-së.
Në përmbyllje të reagimit të tij, Zemaj ka nënvizuar se LDK-ja nuk do t’i nënshtrohet askujt dhe se një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.
“E fatmirësisht, LDK-ja nuk nënshtrohet ndaj askujt, as nuk është nënshtruar kurrë”, ka përfunduar ai.
