Një projektvendim i Këshillit të Ministrave përcakton mënyrën se si do të monitorohen subjektet që ushtrojnë veprimtari me bimën e cannabis-it për përdorim mjekësor dhe industrial. Zbatimi i kontrollit do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it, në përputhje me ligjin nr. 61/2023.
Rregullat përfshijnë të gjitha hallkat e procesit, duke nisur nga importimi i farërave dhe fidanëve, vijuar me kultivimin, korrjen, përpunimin, ruajtjen dhe transportin, deri te eksporti dhe asgjësimi i materialit.
Të lidhura
None found
Inspektimet do të planifikohen përmes një programi vjetor të hartuar mbi bazën e analizës së riskut. Megjithatë, kontrolle mund të zhvillohen edhe në mënyrë të befasishme, veçanërisht kur ekzistojnë dyshime për shkelje. Agjencia do të ketë mundësi të monitorojë 24 orë në ditë sistemet e kamerave të kompanive, si dhe të përdorë sensorë, drone e pamje satelitore. Nëse kontrolli pengohet, inspektorët do të asistohen nga Policia e Shtetit.
Çdo transferim i materialit do të hidhet në sistemin kombëtar të gjurmueshmërisë. Pas përfundimit të korrjes, materiali nuk do të lejohet të kalojë në fazat pasuese nëse nuk është regjistruar dhe, në rastet kur kërkohet, analizuar. Për cannabis-in industrial është vendosur një kufi maksimal prej 0.8% THC. Kur kjo përqindje tejkalohet, loti vendoset në karantinë, ndërsa subjekti ka të drejtë të kërkojë ritestim brenda dy ditëve pune.
Në rast të evidentimit të shkeljeve, kompanive do t’u caktohen masa korrigjuese, të cilat duhet të përmbushen brenda një afati maksimal prej 30 ditësh. Më pas do të zhvillohet një kontroll i dytë. Materiali për të cilin ka dyshime mund të sekuestrohet përkohësisht, ndërsa konfiskimi mund të urdhërohet nga ministri i Shëndetësisë. Asgjësimi do të kryhet vetëm nga subjekte të autorizuara.
Subjektet e licencuara mund të ankohen ndaj masave dhe kanë të drejtë të kërkojnë ruajtjen e të dhënave të tyre tregtare. Licencat do të kalojnë në proces rivlerësimi të paktën një herë brenda tre viteve.
Projektligjet e miratuara:
– Për përcaktimin e përmbajtjes dhe mënyrës së plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si edhe të rregullave, afateve dhe procedurave për raportimin nga ofruesit e vullnetarizmit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit.
– Për rregullat që lidhen me organizimin, funksionimin dhe aksesin në regjistrin elektronik të kujdesit alternativ në familje.
– Për rregullat dhe procedurat e monitorimit të gjendjes së fëmijës të vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe për organizimin dhe zbatimin e monitorimit dhe inspektimit të këtij shërbimi.
– Për përcaktimin e rregullave të detajuara për kontrollin e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara me bimën e cannabis-it, si dhe për prodhimin e nënprodukteve të saj për përdorime mjekësore dhe industriale.
– Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë.
Ky ligj krijon bazën ligjore për themelimin, organizimin, funksionimin dhe përcaktimin e përgjegjësive të Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë. Këshilli Fiskal do të jetë person juridik publik i pavarur dhe do të synojë të kontribuojë në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
– Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimit dhe shoqërive komisionere që bëjnë pjesë në konglomerate financiare.
– Për tregjet e kriptoaseteve.
Ky ligj përcakton rregullat dhe kërkesat për ofertimin e kriptoaseteve ndaj publikut dhe për pranimin e tyre për tregtim në një platformë tregtimi, si dhe kushtet që duhet të përmbushin ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve.
