Edon Zhegrova ka rrëfyer arsyet që e bindën të vazhdonte aventurën te Juventusi, pas një vere të shoqëruar me pasiguri për të ardhmen e tij në Torino.
Të lidhura
None found
Pas barazimit 0-0 të Kosovës kundër Izraelit, sulmuesi anësor foli për SportMediaset dhe bëri të qartë se dëshiron të mbetet pjesë e klubit italian.
“E dua këtë klub dhe synoj të arrij diçka të madhe. Kur më nënshkruan, isha shumë i lumtur dhe nuk dëshiroja të largohesha në atë mënyrë. Doja të qëndroja dhe tani dua të bëj gjëra të mëdha”, deklaroi Zhegrova.
Futbollisti kosovar e konsideroi pjesë të rëndësishme të karrierës së tij faktin që është pjesë e Juventusit.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Bëhet fjalë për një klub të madh dhe mund të jem vetëm i kënaqur me shokët e skuadrës, klubin, trajnerin dhe të gjithë ekipin. Sa herë të zbres në fushë, do të jap maksimumin”, u shpreh ai.
Megjithatë, jo çdo gjë ka shkuar sipas pritshmërive të tij. Zhegrova nuk u përfshi në listën e Juventusit për Ligën e Evropës, por e pranoi këtë vendim pa kundërshtime.
“Ishte një zgjedhje e Spallettit. Do të bëj gjithçka që mundem dhe respektoj çdo vendim. Kemi një ekip shumë të mirë dhe luajmë për të fituar”, tha ai.
Kur u pyet nëse Juventusi është më i fortë se Interi, Zhegrova u përgjigj me buzëqeshje: “Nuk dua të flas për këtë, por Juventusi është gjithmonë më i mirë”.
Këtë sezon, Zhegrova ka realizuar dy gola në një ndeshje kundër Sassuolos, pasi u aktivizua nga stoli i rezervistëve.
