BDI deklaron se, ndërsa ministri Jeton Shasivari vijon konsultimet dhe paralajmërimet lidhur me provimin e jurisprudencës, në sesionin e tetorit do të marrin pjesë 52 kandidatë në gjuhën maqedonase, mes tyre edhe 12 shqiptarë.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, kjo situatë nuk përbën zgjidhje të çështjes, por vetëm shtyrje të saj.
Partia kujton se Shasivari, kur ishte profesor, e kritikonte ministrin e atëhershëm të Drejtësisë për pengimin e zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Tani, në postin e ministrit, në vend që ta adresojë problemin, ai po kërkon kohë shtesë, takime dhe konsultime. BDI vlerëson se kjo është e njëjta qasje që është parë edhe te përfaqësues të tjerë të VLEN-it: premtime në opozitë, ndërsa vonesa dhe justifikime pasi marrin pushtetin.
“Studentët shqiptarë nuk kanë nevojë për një tjetër premtim, por për një zgjidhje konkrete dhe të zbatueshme. Shasivari duhet të sqarojë: nëse provimi i jurisprudencës në shqip është vërtet ‘drejt zgjidhjes’, përse 12 kandidatë shqiptarë duhet ta zhvillojnë edhe në sesionin e tetorit në gjuhën maqedonase? BDI kërkon që kjo çështje të zgjidhet menjëherë dhe të mos shndërrohet në një tjetër premtim të shtyrë”, thuhet në reagimin e partisë.
