Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, vlerësoi se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të ishte e papranueshme duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, veçanërisht pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Të lidhura
None found
Sipas saj, pas 16 shtatorit partitë politike nuk duhet të ndërmarrin hapa që mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve.
Haxhiu i bëri këto deklarata pas pjesëmarrjes në konferencën “Partneritet për ndryshim: Gratë që transformojnë sistemet – avancimi i parimeve të Prishtinës 2026–2035”, të organizuar nga Jahjaga Foundation.
Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike të ndalojnë përpjekjet për ta dërguar Kosovën në zgjedhje.
“Shpresoj që të gjitha partitë politike të heqin dorë nga përpjekjet për ta dërguar vendin në zgjedhje. Në rrethanat në të cilat ndodhemi, sidomos pas 16 shtatorit, një veprim i tillë nuk do të duhej t’i shkonte askujt në mendje, pasi nuk është në interes të qytetarëve dhe as të Kosovës”, tha ajo.
Haxhiu shprehu pritjen që Kuvendi të arrijë të propozojë një emër për president deri më 6 tetor.
“Në cilësinë e kryetares së Kuvendit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, pres që takimet të vijojnë. Gjatë pak ditëve të mbetura deri më 6 tetor, është thelbësore që Kuvendi i Kosovës të ketë një kandidat për president. Pres që diskutimet të vazhdojnë dhe të synohet zgjedhja e presidentit”, deklaroi Haxhiu.
