Publikohen informacione të reja për ngjarjen ku dy të rinj akuzohen se i kanë kërkuar 100 mijë euro kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke u paraqitur si deputeti Taulant Balla.
Të lidhura
None found
Sipas hetimeve, Edison Korra dhe Orest Balla e kontaktuan Dukën në aplikacionin “Sinjal”, u prezantuan si Taulant Balla dhe në fillim kërkuan që shuma të paguhej në kriptovaluta.
Pasi Armand Duka dyshoi se bëhej fjalë për një mashtrim, ai e denoncoi rastin në polici. Autoritetet më pas morën masa për të regjistruar ngjarjen dhe planifikuan dorëzimin e shumës me ndihmën e agjentëve të fshehtë.
Në fillim të rinjtë donin kriptomonedhë, por më vonë ranë dakord që pagesa të kryhej në euro. Dorëzimi u organizua në Elbasan, qytetin ku banonin të dy të dyshuarit, dhe atje ata u arrestuan në flagrancë.
Një tjetër hollësi e zbuluar është se Orest Balla, 23 vjeç, figuron si futbollist i regjistruar në FSHF, edhe pse prej vitesh nuk merret më me futboll aktiv.
Në bisedat me ta, Duka i udhëzoi të komunikonin me të birin, duke thënë se ai nuk merrej me kriptovaluta. Pikërisht aty policia futi në lojë një agjent të infiltruar, i cili u paraqit si djali i presidentit të FSHF-së.
Agjenti i fshehtë u tha atyre se nuk dispononte shumën në kriptomonedhë, por mund t’ua jepte “kash”. Kështu u arrit deri te dorëzimi i parave, moment në të cilin policia ndërhyri dhe i arrestoi në flagrancë.
Sipas burimeve, pas arrestimit dy të rinjtë nuk kanë dhënë shpjegime të plota para policisë për personat që mund të jenë prapa kësaj skeme.
Të dhënat e publikuara tregojnë se hetuesit po përqendrohen te Florian Gjergji, ndërsa puna për zbardhjen e plotë të mekanizmit të mashtrimit vazhdon.
