Glauk Konjufca, ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, i cili u zhvillua në Przhno të Malit të Zi.
Të lidhura
None found
Gjatë diskutimeve, Konjufca ngriti shqetësimet lidhur me situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Pasivizimi i adresave, pengesat në njohjen e diplomave dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në institucionet shtetërore janë probleme konkrete që kërkojnë zgjidhje konkrete. Të drejtat e komuniteteve duhet të garantohen dhe të respektohen njësoj për të gjithë”, deklaroi ai.
Ministri kosovar vuri gjithashtu theksin te nevoja për një bashkëpunim rajonal të ndërtuar mbi barazinë. Sipas tij, marrëveshjet e dakordësuara duhet të sjellin përfitime dhe rezultate të prekshme për qytetarët.
“Për Kosovën, integrimi evropian duhet të ecë përpara mbi bazën e meritave dhe rezultateve. Progresi i arritur duhet të pasohet nga hapa konkretë në procesin e integrimit, që për Kosovën nënkupton marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Procesi i Berlinit e dëshmon vlerën e tij atëherë kur bashkëpunimi rajonal shndërrohet në rezultate konkrete dhe të prekshme në jetën e qytetarëve”, u shpreh Konjufca.
