Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe ish-komandant i UÇK-së, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve në këtë periudhë do të nënkuptonte, sipas tij, largim nga përgjegjësia institucionale dhe braktisje të përpjekjeve për të mbështetur ish-drejtuesit e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Të lidhura
None found
Gjatë emisionit “Debat Plus”, Limaj argumentoi se një proces zgjedhor mund të pasohej nga një periudhë gjashtëmujore pa institucione funksionale, ndërkohë që procedurat gjyqësore në Hagë do të vijonin.
“Nëse shkohet në zgjedhje, shkohet me i ikë kësaj prej përgjegjësisë. Është me heq dorë nga mbrojtja e tyre. Nëse shkohet në zgjedhje, këta njerëz po duan me iu shmangë përgjegjësisë së tyre që duhet me marrë. Edhe gjashtë muaj nuk ke institucione këtu, ndërsa atje kryhen procedurat. Dhe mirëupafshim, ky është rezultati”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të vijojnë funksionimin dhe të ndërmarrin veprime konkrete për çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe analizimin e mundësisë për ndërhyrje në kuadrin ligjor.
“Njerëzit duhet me e heqë përgjegjësinë, duhet me shku në zgjedhje. S’po duam me kërku punë, s’po duam me e ecë me këtë punë. Përmes ligjit duhet me u kthye, duhet me shiku, duhet me punu, duhet me kërku, duhet me shku me marrë”, është shprehur ai.
Limaj ka deklaruar se deri tani nuk ka marrë asnjë kontakt nga Qeveria apo nga partitë opozitare për të dhënë kontributin e tij në lidhje me këtë çështje.
Ai theksoi se është i gatshëm të ndihmojë në rast se institucionet kanë nevojë për përvojën ose sugjerimet e tij.
“Unë e kam gatishmërinë time, nëse kanë nevojë për ndihmën time. Për çfarëdo që kanë nevojë, për shërbimet e mia, për idetë e mia. Deri sot nuk më ka kontaktuar kush. Nëse nuk kanë nevojë, le të thonë”, ka deklaruar Limaj.
