Edukimi në fëmijërinë e hershme do të përfshihet si një nga shtyllat e Strategjisë së re të Arsimit 2035+, deklaroi zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu. Ai tha se kjo fushë mbetet ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Kryeziu i bëri këto deklarata në tryezën “Mbyllja e Hendekut Gjinor në Shërbimet e Kujdesit: Më Shumë Zgjedhje për Gratë”, të organizuar nga Instituti Riinvest në cilësinë e Sekretariatit të Forumit Ekonomik të Gruas. Diskutimi u përqendrua te zgjerimi i shërbimeve të kujdesit për fëmijët dhe të moshuarit, si dhe te lidhja e tyre me punësimin dhe pjesëmarrjen ekonomike të grave.
Të lidhura
None found
“Synojmë që çdo fëmijë, pa dallim përkatësie, vendbanimi apo rrethanash socio-ekonomike, të ketë mundësi të përdorë shërbime cilësore, pranë vendit ku jeton dhe me një kosto që familja mund ta përballojë”, u shpreh Kryeziu.
Duke folur për zgjerimin e rrjetit të çerdheve dhe përfshirjen e më shumë fëmijëve në edukimin e hershëm, veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit, ai tha se rreth 44 milionë euro janë investuar në infrastrukturë fizike. Investimet kanë përfshirë ndërtime të reja dhe adaptime në gjithsej 27 komuna.
Ai përmendi edhe miratimin e Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Sipas Kryeziut, Ministria e Arsimit po vijon punën për zbatimin e Kurrikulës së re, sigurimin e cilësisë, zhvillimin profesional të edukatorëve, forcimin e gjithëpërfshirjes dhe partneritetin me familjen e komunitetin.
Si tregues të përparimit, zëvendësministri përmendi rezultatet e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë 2025, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në partneritet me UNICEF-in në Kosovë. Të dhënat tregojnë se pjesëmarrja e fëmijëve në edukimin e fëmijërisë së hershme është më shumë se dyfishuar gjatë pesë viteve të fundit. Kryeziu ia atribuoi këtë rritje politikave të zbatuara dhe kontributit të institucioneve e aktorëve të tjerë të fushës.
Në tryezë u prezantua edhe raporti i Institutit GAP, “Institucionet e kujdesit në Kosovë: Kapacitetet dhe shpërndarja gjeografike në kontekstin e punësimit të grave”. Ai shqyrton kapacitetet dhe shtrirjen gjeografike të institucioneve të kujdesit, si dhe lidhjen e tyre me mundësitë e punësimit për gratë.
Të dhënat në nivel komunal tregojnë një lidhje mes pranisë së shërbimeve të kujdesit dhe joaktivitetit të grave në tregun e punës. Në komunat ku këto shërbime janë më të përhapura, niveli i grave joaktive është më i ulët; aty ku shërbimet mungojnë më shumë, më tepër gra mbeten jashtë tregut të punës.
Pjesë e panelit ishin edhe drejtori i Departamentit të Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Mentor Morina; udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani; koordinatorja e Forumit Ekonomik të Gruas, Saxhide Mustafa; nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Arta Gashi; dhe drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli.
Kryeziu falënderoi organizatorët për ftesën dhe diskutimin e hapur, si edhe për raportin e prezantuar, rekomandimet dhe sugjerimet që dolën prej tij.
