Më 30 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Bekim Sejdiu mbetet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për postin e presidentit, edhe pse ai është tërhequr nga gara. Kurti kërkoi që të zhvillohen takime të tjera me partitë opozitare, kur kishin mbetur gjashtë ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Të lidhura
None found
“Sa i përket kandidatit, ne e kemi kandidatin. Kandidati është profesor Bekim Sejdiu nga marrëveshja”, tha Kurti në një konferencë për media.
Sejdiu u propozua për president nga LVV-ja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) më 31 gusht. Të nesërmen, gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtuan kandidaturën e tij.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-diplomati njoftoi më 14 shtator se po tërhiqej, duke përmendur mungesën e mbështetjes së nevojshme në Kuvend dhe konfliktet e brendshme politike.
Kurti e lidhi tërheqjen e Sejdiut me rrethanat e krijuara pas mosrespektimit të marrëveshjes, për të cilën fajësoi gjashtë deputetët e LDK-së.
“Nga pikëpamja e Lëvizjes Vetëvendosje, ne kemi marrëveshje politike dhe unë besoj që duhet ta respektojmë atë”, u shpreh Kurti, duke theksuar se partia e tij nuk ka një kandidat tjetër.
Kryeministri nuk tregoi nëse kishte folur me Sejdiun për mundësinë e rikthimit të tij në garë, apo nëse ai do të pranonte të kandidonte sërish. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Sejdiut me pyetjen nëse është i gatshëm të rikthehet dhe po pret përgjigjen e tij.
Kurti kërkon takime të reja, por nuk cakton datë
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e 23 shtatorit, përcaktoi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit nisi më 8 gusht dhe mbyllet më 6 tetor. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh presidentin brenda këtij afati, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja.
Kurti tha se mban kontakte të drejtpërdrejta me Bedri Hamzën, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe Lumir Abdixhikun, kryetar të LDK-së. Ai bëri të ditur se nuk ishte takuar me ta më 29 ose 30 shtator, ndërsa nuk përcaktoi se kur mund të mbahet takimi i radhës.
“Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, tha ai.
Kurti shprehu shpresë për arritjen e një marrëveshjeje, duke iu referuar deklaratës së Kuvendit për gjykimin në Hagë të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e miratuar më 28 shtator me 99 vota pro.
Sipas kryeministrit, miratimi i deklaratës tregon se partitë kanë mundësi të bashkëpunojnë edhe në çështje të tjera. Ai paralajmëroi se përfshirja në rivalitet të ashpër zgjedhor do t’u sillte përfitim kundërshtarëve të Kosovës.
“Prandaj duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi, diskutojmë dhe dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, deklaroi Kurti.
Ai tha se bisedimet duhet të zhvillohen mes drejtuesve politikë dhe se përfundimet e tyre të bëhen publike më pas. “Garanci nuk ka, por vullnetin e kam parë”, shtoi ai.
Çështja e zgjedhjes së presidentit ka qenë një nga shkaqet kryesore të krizës politike në Kosovë dhe çoi në zgjedhje të parakohshme në qershor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor, vendi do të mbajë zgjedhje parlamentare për herë të katërt brenda dy vjetësh.
Përgjigjja për kërkesën e PDK-së pritet brenda javës
PDK-ja ka kushtëzuar vijimin e bisedimeve për presidentin me miratimin e projektligjit të saj, që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Pas bisedës me Kurtin më 27 shtator, Hamza kishte deklaruar se nuk kishin diskutuar për emra të caktuar për president. “Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera”, tha ai një ditë më vonë.
Kur u pyet nëse PDK-ja kishte ofruar votat për president në këmbim të ndryshimeve ligjore, Kurti tha se nuk kishin biseduar për “këmbim e shkëmbim as të pozicioneve, as të qëndrimeve”.
Nisma e PDK-së iu përcoll Qeverisë për shqyrtim më 25 shtator. Kurti tha se vlerësimi juridik dhe ai financiar pritet të përfundojnë gjatë kësaj jave. Sipas tij, Zyra Ligjore e Kryeministrisë ka kërkuar opinion nga Ministria e Drejtësisë, si dhe vlerësim financiar nga Departamenti i Buxhetit në Ministrinë e Financave.
“Menjëherë mandej do t’ia japim përgjigjen Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, u shpreh ai.
Kurti përsëriti se e konsideron të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Ai bëri thirrje për një strategji të përbashkët shtetërore dhe për angazhimin e ekspertëve juridikë në procesin e apelit.
LDK-ja, ndërkohë, është shprehur e gatshme të ndihmojë në zgjedhjen e presidentit. Më 28 shtator, shefja e grupit parlamentar të saj, Jehona Lushaku, tha se partia nuk mund të shprehej pro ose kundër një kandidati, por kishte vullnet që çështja të zgjidhej.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të takohet me Kurtin për temën e presidentit. Deputeti Ramush Haradinaj e ka akuzuar kryeministrin se po synon ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. / REL
