Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë ndaj A.D., i cili ngarkohet me veprat penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Të lidhura
None found
Ngjarjet, sipas aktakuzës, kanë ndodhur më 9 mars 1999 në fshatin Ivajë dhe në vendbanimet përreth, në Komunën e Kaçanikut. A.D., atëkohë zyrtar policor në Stacionin Policor në Kaçanik, dyshohet se, së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, ka marrë pjesë në torturim, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pronës dhe dëbim të civilëve shqiptarë.
Aktakuza pretendon se forcat serbe fillimisht e rrethuan fshatin Ivajë dhe më pas i detyruan banorët të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Pas largimit të tyre, shtëpitë dyshohet se u dogjën dhe u shkatërruan.
Burrat u veçuan nga gratë dhe u dërguan në Stacionin Policor në Kaçanik. Prej tyre, 78 persona u liruan, ndërsa 13 të tjerë mbetën të ndaluar për t’u marrë në pyetje. Sipas pretendimeve të aktakuzës, këta të fundit u rrahën dhe u torturuan nga A.D. dhe persona të tjerë që ende nuk janë identifikuar.
Rasti është përcjellë për shqyrtim në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. I pandehuri aktualisht ndodhet në paraburgim.
