Tirana dhe Dinamo do të përballen mes tyre në një derbi kryeqytetas që do të rrëmbejë vëmendjen e shumë tifozëve, e që do të shërbejë si nxehmje para kampionatit.
Dy ekipet kanë rënë parimisht dakord që të zhvillojnë një miqësore mes tyre në Pogradec, aty ku janë të akomoduar prej javësh, teksa po kryejnë fazën përgatitore verore.
Sipas informacioneve nga burime të sigurta mësohet se klubet kanë rënë dakord që më 19 gusht në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, ekipet të luajnë miqësoren.
Kategoria Superiore nis më 11 shtator dhe skuadrat kanë afro një muaj kohë për të bërë përgatitjet e duhura dhe të jenë gati për kampionatin.
Ky sezon është i veçantë për skuadrat e kryeqytetit, sepse pas një dekade mungesë, do të jenë sërish të tria në elitë, duke shtuar kështu numrin e derbeve.
Nuk do të jetë vetëm Tirana-Partizani, por edhe Tirana-Dinamo dhe Partizani-Dinamo.
Në total do të kemi 12 derbe gjatë kampionatit, por nuk përjashtohet mundësia që skuadrat të përballen edhe në Kupën e Shqipërisë.
Të tria klubet e kryeqytetit do të luajnë këtë sezon si pritës në stadiumin “Air Albania”, por Tirana mund të përdorë edhe “Selman Stërmasin”./albeu.com/