Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka dorëzuar propozim-akuzë ndaj gjashtë personave lidhur me një rast të falsifikimit të lejeve të drejtimit, bëri të ditur sot Prokuroria Publike.
Të lidhura
None found
Të gjithë të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të vazhduar “Falsifikim i dokumentit”, të parashikuar në nenin 378, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, e pandehura e parë, e cila punon në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltare e re për dokumente udhëtimi në Degën e Punëve Administrative në Shkup, nga shtatori 2020 deri në gusht 2026, në disa raste ka shfrytëzuar kodet e saj zyrtare për të ndryshuar lejet e drejtimit dhe për t’u shtuar atyre kategori të tjera.
Pesë personat e tjerë janë shoferë. Ata, pa kryer provimin e drejtimit për kategoritë C dhe D, në bashkëpunim me nëpunësen kanë dorëzuar kërkesa për pajisje me leje drejtimi ku ishin përfshirë kategori për të cilat nuk plotësonin kërkesat ligjore.
Dokumentet e marra në këtë mënyrë, sipas Prokurorisë, janë përdorur për sigurimin e certifikatave të kompetencës profesionale, të nevojshme për ushtrimin e transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe mallrave.
Disa prej të akuzuarve më pas kanë drejtuar disa herë autobusë dhe automjete të rënda në qarkullimin ndërkombëtar.
Prokurori publik ka kërkuar që për tre të akuzuar, përfshirë edhe punonjësen e MPB-së, të vazhdojë masa e mëparshme e paraburgimit.
Për tre të dyshuarit që aktualisht janë të paarritshëm për organet e ndjekjes, është kërkuar caktimi i paraburgimit pasi të lokalizohen, si dhe zhvillimi i procedurës ndaj tyre në mungesë.
Ndërkohë, në të njëjtën çështje penale, Prokuroria po vijon mbledhjen e provave ndaj 21 personave të dyshuar si ndërmjetës ose përdorues të lejeve të falsifikuara të drejtimit. Hetimi përfshin edhe keqpërdorime të tjera të mundshme që mund të jenë të lidhura me këtë rast.
