Policia e Kosovës ka dhënë sqarime për masat e ndërmarra në lidhje me protestën e mbajtur në Prishtinë kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas saj, kontrollet shtesë në hyrje të rrugëve të kryeqytetit kishin për qëllim ndalimin e vozitjeve të rrezikshme që cenojnë sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Të lidhura
None found
Në njoftimin e datës 19 shtator 2026, policia rikujtoi se pas përfundimit të protestës së 18.09.2026, e mbajtur në orën 21:00 në Prishtinë, disa persona kishin defiluar me automjete, kishin vozitur në mënyrë të rrezikshme dhe kishin dalë mbi vetura. Sipas policisë, këto veprime kishin vënë në rrezik pjesëmarrësit në trafik dhe kishin vazhduar deri në orët e vona pas mesnatës.
Për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së mbajtur më 19 shtator 2026, po ashtu në orën 21:00 në Prishtinë, si dhe për të ruajtur rrjedhën e trafikut e për të parandaluar aksidente të mundshme, policia tha se u detyrua të shtonte masat në hyrje të rrugëve të kryeqytetit.
Policia theksoi se nuk synonte të ndalonte apo të pengonte qytetarët të merrnin pjesë në protestë, as qarkullimin e automjeteve që drejtoheshin sipas rregullave. Ajo tha se masat ishin të drejtuara ndaj vozitjeve të rrezikshme dhe personave që shkelin ligjin e rregullat e trafikut rrugor.
Në fund, Policia e Kosovës përsëriti se e njeh të drejtën e qytetarëve për protestë të qetë e demokratike dhe i falënderoi ata për bashkëpunimin e ndërsjellë.
