Laçi pësoi humbje 3-1 përballë Dinamos në “Elbasan Arena”, në takimin e javës së pestë të Superiores. Pas përfundimit të sfidës, trajneri i kurbinasve, Qatip Osmani, analizoi para mediave paraqitjen e skuadrës së tij.
Të lidhura
None found
Sipas Osmanit, episodi që përcaktoi rrjedhën e ndeshjes ishte kartoni i kuq. Ai deklaroi se Laçi nuk e kishte lejuar Dinamon të krijonte rrezik për gol, megjithëse skuadra pati vështirësi në mbrojtjen e krahëve. Trajneri shtoi se në pjesën e parë ekipi krijoi raste, por nuk arriti t’i konkretizonte, ndërsa pas pushimit iu desh të luante me një futbollist më pak. Pavarësisht kësaj, kurbinasit u përpoqën të reagonin dhe patën disa mundësi, por Osmani theksoi se situata të tilla janë pjesë e futbollit.
I pyetur nëse vija mbrojtëse duhej të ishte pozicionuar më poshtë, tekniku pranoi se ky problem ishte evidentuar edhe nga stafi gjatë lojës. Ai shpjegoi se skuadra nuk ishte e koordinuar siç duhej në pozicionimin për pozicion jashtë loje, çka ia lehtësoi Dinamos sulmet nga krahët dhe solli pasojat përkatëse.
Sa i përket pengut më të madh nga kjo ndeshje, përveç përjashtimit me karton të kuq, Osmani veçoi ritmin e ulët në fazën sulmuese gjatë pjesës së parë. Sipas tij, Laçi duhej t’i shfrytëzonte mundësitë, por lëvizte ngadalë dhe i jepte kohë Dinamos të rikthehej në pozicionet mbrojtëse. Ai pranoi gjithashtu se skuadra ishte shumë pak e rrezikshme përpara.
Në fund, kur u pyet nëse bërtet ndonjëherë, Osmani u përgjigj me humor: “Jo në fushë”, duke qeshur.
