Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, mori pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut A5, të organizuar në Zarë të Kroacisë.
Të lidhura
None found
Takimi u drejtua nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ndërsa të pranishëm ishin edhe shefat e mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
FSK-ja njoftoi se në këtë konferencë të nivelit të lartë vëmendje e posaçme iu kushtua sfidave të tanishme gjeopolitike, si dhe nevojës për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkan, me synim garantimin e stabilitetit afatgjatë dhe të paqes së qëndrueshme.
Gjatë konferencës, Jashari zhvilloi takime me zyrtarë të lartë ushtarakë ndërkombëtarë. Mes tyre ishin gjenerali Grynkewich dhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, gjenerali Peter K. Scot.
Sipas njoftimit, bisedimet u përqendruan te avancimi i ndërveprueshmërisë mes forcave, përmirësimi i koordinimit operacional dhe përkrahja e aleatëve euroatlantikë për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Komandanti i FSK-së pati gjithashtu një takim me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajorin Stephen Osborn. Ata diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy forcave.
Në fjalimin e mbajtur para pjesëmarrësve, Jashari paraqiti zyrtarisht kërkesën që Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut, bëri të ditur FSK-ja.
Ai theksoi sërish se përfundimi me sukses i tranzicionit të FSK-së dhe gatishmëria e saj për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare e pozicionojnë Kosovën si një partner të natyrshëm dhe të besueshëm. Sipas njoftimit, Jashari vlerësoi se vendi meriton përfshirje të plotë në të gjitha strukturat dhe nismat euroatlantike të sigurisë.
