LSDM-ja opozitare reagoi me akuza ndaj ZNAM-it, duke theksuar se janë mbushur dy vjet nga ajo që e cilëson si tradhti. Sipas partisë, përfaqësuesit e ZNAM-it në fillim tradhtuan subjektin e tyre politik dhe më pas votuesit.
Të lidhura
None found
Në reagim thuhet se ZNAM-i shënon sot në një kinema aktivitetin me moton “Dy vjet punë. Dy vjet rezultate. Një dashuri”, por LSDM-ja pretendon se e vetmja dashuri e kësaj partie janë tenderët. Nga LSDM-ja deklarojnë se Maksoja ndodhet në kinema së bashku me disa “patriotë të tenderëve”, ndërsa filmin e ironizojnë me titullin e mundshëm “Si e tradhtova partinë dhe votuesit për tenderë”. Sipas tyre, kjo nuk përfaqëson dashuri për Maqedoninë, por për paratë.
Partia opozitare vlerëson se ZNAM-i ishte konceptuar si projekt i Mickoskit, me synimin që LSDM-ja të dobësohej nga brenda.
Sipas LSDM-së, bëhet fjalë për persona që së pari braktisën partinë e tyre, ndërsa më pas zhgënjyen edhe qytetarët që i besuan narrativës për reforma brenda LSDM-së. Në komunikatë pretendohet se, pasi hynë në pushtet, ata u përfshinë në atë që opozita e quan grupi i organizuar kriminal i VMRO-së dhe u bënë pjesë e bandës.
LSDM-ja i përshkruan si satelitë që sigurojnë një votë në Kuvend, një karrige në institucione, një tender në komunë dhe një tender në Postë. Partia shton se rezultatet tashmë janë të njohura për qytetarët dhe akuzon Makson se fillimisht shiti votuesit, më pas Maqedoninë, ndërsa më vonë erdhi edhe parcela për “Lidl”.
Duke iu referuar faktit se Maksim Dimitrievski ka kompani në Bullgari, nga LSDM-ja thonë se ai “mund ta paraqesë veten si investitor të huaj”.
Partia opozitare kërkon gjithashtu që Dimitrievski të tregojë se sa ka marrë për versionin e parë të ZNAM-it, tani që, sipas saj, dihet se kolegët e tij, të cilësuar si versioni më i avancuar “ZNAM 2.0 për reforma”, kanë marrë 1,6 milionë.
Në reagim nënvizohet se LSDM-ja nuk ulet në sallën e tyre, por i quan gjërat me emrin e vërtetë. Sipas partisë, tradhtia ka një datë, ndërsa pas disa ditësh paralajmërohet edhe një datë tjetër, me një tubim të ri “për të ardhmen e Mickoskit”.
Nga LSDM-ja propozojnë me ironi që aktivitetin e radhës ta organizojnë bashkë dhe, në vend të kinemasë, ta zhvillojnë në Pallatin e Bardhë, pasi, siç thonë, filmi tashmë dihet. Sipas tyre, ZNAM-i nuk është lëvizje, por satelit i Mickoskit: dy vjet punë për bandën, dy vjet si pjesë e saj dhe një dashuri e përbashkët për tenderët.
Në përfundim të komunikatës, LSDM-ja deklaron se po afrohet koha kur tradhtia ndaj Maqedonisë do të gjykohet para drejtësisë dhe jo përpara ekranit të kinemasë. Partia thotë se qytetarët nuk do të shkojnë në kinema për të uruar ata që i kanë shitur, por do të dalin në zgjedhjet e ardhshme për ta rikthyer shtetin në duart e tyre, ndërsa banda do të japë përgjegjësi.
