Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, komandant i FSK-së, ka bërë thirrje që Kosova të anëtarësohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5.
Ai e paraqiti këtë kërkesë në konferencën e Kartës së Adriatikut, e organizuar këtë vit në Zadar të Kroacisë.
Të lidhura
None found
Gjatë fjalimit të tij, Jashari vlerësoi se përfundimi me sukses i tranzicionit të FSK-së, së bashku me gatishmërinë për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare, dëshmon se Kosova është një partnere e besueshme.
Sipas tij, Kosova e meriton përfshirjen e plotë në strukturat dhe nismat euroatlantike të sigurisë.
Konferenca u udhëhoq nga komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ndërsa pjesë e saj ishin edhe shefat e mbrojtjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë aktivitet u trajtuan sfidat e tanishme të sigurisë, si dhe domosdoshmëria për zgjerimin e bashkëpunimit në rajon, thuhet në njoftim, përcjell Sinjali.
Në kuadër të konferencës, Jashari pati takime edhe me përfaqësues të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, përfshirë komandantin e EUCOM-it, gjeneralin Grynkewich, dhe zëvendëskomandantin e JFC Naples, gjeneralin Peter K. Scot.
Bisedimet me ta u përqendruan te bashkëpunimi ndërmjet forcave, bashkërendimi në aspektin operacional dhe përkrahja për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse.
Komandanti i FSK-së u takua gjithashtu me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovas, gjeneralmajorin Stephen Osborn, me të cilin shqyrtoi mundësitë për fuqizimin e partneritetit mes dy forcave.
