Në territorin e Maqedonisë, deri në orën 07:30, janë evidentuar gjithsej 20 zjarre në hapësira të hapura, bëri të ditur Qendra për Menaxhim me Kriza.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave, tri vatra vazhdojnë të jenë aktive, dy zjarre janë vendosur nën kontroll, ndërsa 15 të tjera janë shuar tërësisht gjatë 24 orëve të fundit.
Zjarre aktive ka në Krivogashtan, në pjesën ndërmjet fshatrave Podvis dhe Krivogashtan, ku flakët kanë përfshirë bimësi të ulët; në fshatin Evla të Resnjës, ku digjen mbeturina dhe bimësi e ulët; si dhe në fshatin Pçinja të Kumanovës, ku janë përfshirë bimësia e ulët dhe mbeturinat.
Ndërkohë, dy vatra janë vënë nën kontroll. Njëra ndodhet në zonën mes Makedonski Brodit dhe Sopishtes, afër fshatit Belicë, në lokalitetin Kajorec, dhe është përhapur në drejtim të Jasenit. Në këtë hapësirë janë prekur pyje të ulëta dhe të përziera.
Nën kontroll është vendosur edhe zjarri në territorin e Komunës së Novo Sellës, pranë fshatit Badilen, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore.
Gjatë 24 orëve të fundit, zjarrfikësit dhe ekipet përgjegjëse kanë shuar gjithsej 15 zjarre në ambiente të hapura. Vatra zjarri u regjistruan dhe u lokalizuan në zonat e Shkupit, Manastirit, Dibrës, Shtipit, Karbincit, Vinicës, Berovës, Kumanovës, Rankovcit dhe Tetovës.
Komanda Qendrore njofton se gjendja në terren po ndiqet në vazhdimësi, ndërsa institucionet dhe shërbimet kompetente po bashkërendojnë veprimet për përballimin e zjarreve.
