Java e 5-të e “Abissnet Superiore” pritet të dhurojë emocione dhe përballje të luftuara gjatë fundjavës. Siparin do ta ngrejë dueli mes Vllaznisë dhe Teutës, që do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 18:30.
Të lidhura
None found
Skuadra shkodrane kërkon t’i japë fund periudhës së gjatë pa fitore në kampionat, por përballë do të ketë kryesuesen e renditjes. Teuta, pasi ka marrë “fronin” e klasifikimit, synon të mos lërë pikë as në Shkodër.
Një tjetër takim i fundjavës është ai mes Vorës dhe Skënderbeut, i programuar në stadiumin “FK VORA”. Rezultatet e fundit kanë futur në krizë të dyja ekipet, të cilat kanë domosdoshmëri për pikë, ndaj në fushë parashikohet një betejë me ritëm të lartë.
Vëmendje të veçantë merr edhe përballja Dinamo-Laçi në “Elbasan Arena”. Pas triumfit 4-2 kundër Partizanit, dinamovitët synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive, ndërsa kurbinasit vijnë po ashtu të motivuar nga fitorja 2-0 ndaj Vllaznisë në Kurbin.
Dy ndeshjet përmbyllëse të javës së pestë do të luhen të dielën. Tirana do të presë Elbasanin në “Selman Stërmasi”, kurse Egnatia, kampionia në fuqi, do të përballet me Partizanin në Rrogozhinë.
Skuadrat kryeqytetase nuk kanë treguar ende formën e tyre më të mirë në këtë ecuri. Përballë kundërshtarëve që edicionin e kaluar u renditën në vendet e para, ato do të kërkojnë të ndryshojnë kurs dhe të hapin një kapitull të ri.
