LSDM-ja u bëri thirrje të gjithëve që ta respektojnë vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-anëtarëve të tjerë të UÇK-së. Partia rikujtoi se procedura ende nuk ka përfunduar dhe se ekziston mundësia e apelimit.
Të lidhura
None found
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të respektojnë vendimin e gjykatës dhe të shmangin nxitjen e tensioneve ose përçarjeve”, deklaroi LSDM-ja.
Sipas partisë, ligji duhet të vlejë njësoj për secilin, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare apo interesat politike, ndërsa LSDM-ja nuk ndërhyn në punën e gjykatës.
“Nëse gjykata ka vendosur që dikush është fajtor, atëherë kjo duhet të pranohet, derisa një gjykatë më e lartë të thotë ndryshe”, theksoi LSDM-ja.
Në reagim sqarohet se ky vendim nuk duhet parë si i drejtuar kundër popullit shqiptar ose kundër të drejtës së Kosovës për liri, pasi procesi gjyqësor ka të bëjë me individë.
LSDM-ja i vlerësoi gjithashtu si “jashtëzakonisht të papërshtatshme” reagimet e Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi. Nga partia nënvizuan se Gashi ushtron një funksion shtetëror dhe, si përfaqësues i një vendi që synon anëtarësimin në BE, nuk mund të zbatojë standarde të dyfishta.
“LSDM do të respektojë vendimin e gjykatës dhe do të përsërisë një gjë: askush nuk është mbi ligjin. As atje. As këtu”, thuhet në deklaratë./Telegrafi/
