Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deklaroi se vendimi dënues për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin ka krijuar zhgënjim të thellë në Kosovë, ndjesi të cilën tha se e përjeton edhe vetë.
Të lidhura
None found
Kjo është hera e dytë që Konjufca reagon pasi Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krimet e luftës që lidhen me arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Sipas dënimeve të shqiptuara, Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, kurse Selimi me 13 vjet.
Konjufca u shpreh i bindur se vendimi i shkallës së parë do të analizohet me rigorozitet dhe kujdes nga Dhoma e Apelit.
Në një postim në platformën X, të transmetuar nga KosovaPress, ai shkroi se beson fuqishëm që aktgjykimi do t’i nënshtrohet një shqyrtimi të hollësishëm gjyqësor në apel dhe se mangësitë faktike e ligjore që dalin nga vendimi do të trajtohen në përputhje me ligjin në fuqi dhe praktikën e konsoliduar.
Megjithatë, ai nënvizoi se Kosova vazhdon të jetë po aq e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, vlerave demokratike, paqes dhe perspektivës evropiane.
Duke iu referuar së kaluarës së vendit, Konjufca tha se historinë e Kosovës e kanë shënuar represioni, rezistenca, lufta dhe humbjet, por edhe liria e arritur përmes sakrificave të shumta.
Ai deklaroi se, në rrethanat e tanishme, është e vështirë të shihet një ndjenjë drejtësie për dhjetëra mijëra gra, burra dhe fëmijë të vrarë, dhunuar e torturuar nga forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe. Konjufca theksoi se më shumë se 95 për qind e tyre ishin shqiptarë etnikë dhe se drejtësia për ta nuk u vendos asnjëherë.
Njëherësh, ai kërkoi që e vërteta historike të ruhet përballë çdo përpjekjeje për shtrembërim apo interpretim keqdashës.
Në përmbyllje të reagimit, Konjufca tha se, mbi të gjitha, duhet të ruhet krenaria për dinjitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës, si dhe për shtetin e ndërtuar sot: një Kosovë e lirë, demokratike dhe evropiane.
