Personat që u mungojnë jo më shumë se 24 muaj për të plotësuar kushtin minimal ligjor prej 15 vitesh stazh mund ta sigurojnë të drejtën e pensionit duke i blerë vetë këto vite. Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, bëri të ditur se kjo mundësi po shqyrtohet aktualisht nga Qeveria. Sipas propozimit, masa do të zbatohet për qytetarët që nuk janë më të siguruar, kanë arritur moshën 62 vjeç për gratë dhe 64 vjeç për burrat, si dhe kanë të paktën 13 vite stazh pune.
Të lidhura
None found
“Blerja e stazhit vlen dhe do të vlejë vetëm për ata që tashmë nuk janë të siguruar, kanë mbushur 62-64 vjeç, pra burra-gra, do të kenë të drejtë ata që kanë deri në 13 vite stazh pune, të cilin e kanë bërë në momentin kur kanë mbushur moshën e pleqërisë, pra 24 muaj t’i blejnë stazhin e tyre, përkatësisht të paguajnë për të”, tha Vellkovski.
Shuma që do të paguhet do të përcaktohet përmes një formule të veçantë, e cila ende duhet të hartohet. Ministri sqaroi se baza e përllogaritjes nuk do të jetë paga e plotë mesatare, por 50 për qind e saj, sipas vlerës së regjistruar gjatë vitit të kaluar.
“Të jetë 50 për qind e pagës mesatare nga viti i kaluar, pra nga viti në të cilin ka dalë, përkatësisht në rastin konkret nga viti 2025 do të jetë. Pra, kontributi të paguhet mbi atë pagë. Diku përafërsisht, tani të mos flas për shifrat, megjithatë varësisht se sa muaj i kanë mbetur secilit për të dalë në pension, do të ketë një shumë të caktuar të cilën duhet ta paguajnë vetë qytetarët, ndërsa më pas do ta marrin pensionin e llogaritur me të gjithë parametrat në përputhje me ligjin”, u shpreh Vellkovski.
Referuar të dhënave të disponueshme, paga mesatare e vitit të kaluar ishte afërsisht 45.500 denarë. Nëse kontributi prej 19,9 për qind aplikohet mbi gjysmën e kësaj page, baza do të jetë rreth 22.750 denarë. Sipas përllogaritjes së TV21, pagesa mujore do të arrijë në rreth 4.500 denarë, ndërsa për 12 muaj do të jetë rreth 54.000 denarë. Në rast se kërkohen 24 muaj stazh dhe paga mesatare nuk ndryshon, qytetari do të paguante gjithsej rreth 108.000 denarë, ose afërsisht 1.750 euro, për të përfituar të drejtën e pensionit./TV21/
