VLEN njoftoi se po ndërmerr masa konkrete për të përmbushur nevojat e Universitetit “Nënë Tereza” për hapësira shtesë, në një periudhë kur numri i studentëve në këtë institucion është në rritje.
Të lidhura
None found
Sipas kumtesës për media, zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali dhe rektori i UNT-së, prof. dr. Bekim Fetaji, kanë diskutuar mundësinë që universiteti të përdorë ambientet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Këto hapësira pritet të sigurojnë zhvillimin normal të procesit mësimor deri në përfundimin e kampusit të ri.
VLEN thekson se përdorimi i këtyre ambienteve përbën një masë të përkohshme. Zgjidhja afatgjatë lidhet me ndërtimin e kampusit të ri të UNT-së, investim që kap vlerën e rreth 42 milionë eurove dhe për të cilin tashmë kanë nisur punimet me vendosjen e themeleve.
Kampusi i ri do t’i ofrojë Universitetit “Nënë Tereza” ambiente bashkëkohore dhe kapacitete të mjaftueshme për studentët, stafin akademik, zhvillimin e mësimit dhe kërkimin shkencor.
“VLEN-i e konsideron shtimin e numrit të studentëve si një mundësi për zgjerimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të UNT-së, e jo si pengesë. Hapësirat e nevojshme po sigurohen në këtë fazë, ndërsa kampusi me vlerë 42 milionë euro do ta zgjidhë përfundimisht këtë problem”, deklarojnë nga VLEN.
