Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se miratimi i Kodit Zgjedhor me konsensusin e të gjitha partive politike është ende pjesë e negociatave. Sipas tij, pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë janë intensifikuar përpjekjet për miratimin e këtij ligji.
Të lidhura
None found
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me integrimin evropian dhe reformat në vend, Sali kujtoi se ndryshimet ishin mbështetur fillimisht në mënyrë unanime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Megjithatë, në momentin e fundit, dy parti politike u tërhoqën dhe nuk i votuan ato.
“Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë po bëhen përpjekje për miratimin e këtij ligji, por procesi vazhdon të jetë në fazën e negociatave”, u shpreh Sali.
I pyetur nëse institucionet po punojnë edhe për Kodin Penal, zëvendëskryeministri dha përgjigje pozitive dhe nënvizoi angazhimin e ministrit të ri të Drejtësisë për këtë çështje.
“Ministri i ri është i angazhuar edhe për Kodin Penal. Besoj se bëhet fjalë për ligje që kërkojnë konsensus dhe mbështetje të gjerë në nivele të ndryshme. Ministri po punon dhe shpresoj që të arrijë sukses në përmbushjen e qëllimit përfundimtar”, theksoi Sali.
Ai i bëri këto deklarata para nisjes së takimit ndërrajonal të kryenegociatorëve dhe përfaqësuesve kompetentë për integrimin evropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si edhe nga Komisioni Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë.
