Një ditë para shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së, ish-ministrja dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ndaj gjuhës së ashpër që është përdorur në diskursin publik.
Ajo ka kërkuar që qëndrimet ndaj Gjykatës Speciale të jenë të përmbajtura dhe të mbështetura në argumente, ndërsa ka paralajmëruar se kërcënimet mund t’i shkaktojnë dëm Kosovës.
Të lidhura
None found
“Po të donte me kallë Kosovën, do ta bënte këtë vetë Hashim Thaçi kur iu ngrit aktakuza dhe u ftua në Hagë!”, ka shkruar Tërmkolli.
Duke iu referuar reagimit të atëhershëm të ish-presidentit Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës, ajo ka theksuar se ai zgjodhi të dilte publikisht para qytetarëve.
“Ai doli para qytetarëve të Kosovës dhe foli para tyre si burrështetas dhe në postin e Presidentit! As nuk u fsheh, as nuk iku!”, ka deklaruar ajo.
Tërmkolli ka përmendur edhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, për të cilin ka thënë se kishte vepruar në të njëjtën mënyrë përmes rrugës institucionale.
“Njëjtë bëri edhe Kadri Veseli, në postin e Kryetarit të Kuvendit!”, ka shtuar ish-ministrja.
Retorikën kërcënuese të përdorur nga disa përfaqësues të PDK-së dhe analistë në prag të vendimit, ajo e ka cilësuar si të rrezikshme për vendin.
“Reagimet e ‘kërcënimet’ e tipit ISIS të disave të PDK-së e disa analistëve të lodhtë, janë të dëmshme për Kosovën!”, ka shkruar Tërmkolli.
Sipas saj, kritikat ndaj devijimeve të pretenduara të Gjykatës Speciale duhej të ishin paraqitur me kohë dhe në mënyrë të argumentuar.
“Reagimi për devijimet e Gjykatës Speciale u dasht të bëhej në kohë dhe me argumente!”, ka theksuar ajo.
Në fund të reagimit, Tërmkolli ka ndarë luftën e zhvilluar kundër pushtuesit nga konfliktet e brendshme politike, duke shprehur besimin te lirimi i ish-luftëtarëve.
“Kosovën e kanë kallë e djegë veç armiqtë e saj! Ne kemi luftu me çliru nga armiqtë dhe e kemi bërë këtë vend të lirë e të pavarur! Unë besoj në lirimin e luftëtarëve të lirisë!”, ka shkruar ajo.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit do të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00, në Hagë, sipas njoftimit zyrtar të Dhomave të Specializuara.
Katër ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar.
