Infermierja Ljubica Shavreska ka bërë publik rrëfimin e saj për një përvojë të rëndë dhe traumatike në sistemin shëndetësor maqedonas, e cila përfundoi me humbjen e fetusit në javën e 24-t të shtatzënisë.
Të lidhura
None found
Në një reagim të hapur drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, ajo përshkruan orët e mbushura me dhimbje dhe pasiguri, duke pretenduar se në disa institucione shëndetësore është përballur me neglizhencë dhe trajtim shpërfillës nga personeli mjekësor.
“Nuk kërkoj hakmarrje, kërkoj një sistem ku askush të mos ketë nevojë të kërkojë privilegj për t’u shpëtuar.”
Shavreska pranon se ndoshta humbja e shtatzënisë nuk mund të ishte parandaluar, por nënvizon se mënyra çnjerëzore me të cilën u trajtua nga sistemi shëndetësor e rëndoi edhe më shumë traumën e përjetuar.
Ajo sqaron se nuk ka ndërmend të ngrejë padi dhe as të kërkojë ndëshkimin e mjekëve. Qëllimi i saj, sipas rrëfimit, është të tërheqë vëmendjen e opinionit publik mbi mënyrën se si trajtohen pacientët në Maqedoni.
“A duhet një grua shtatzënë të gjakoset, të përjetojë dhimbje të padurueshme dhe të lutet për ndihmë që dikush ta marrë seriozisht? A duhet pacienti të kërkojë ‘lidhje’ për të marrë një kontroll mjekësor?”, pyet ajo, duke iu drejtuar institucioneve përgjegjëse me një mesazh të fortë.
Në fund të reagimit, infermierja shpreh mirënjohjen e saj për disa punonjës shëndetësorë dhe persona të tjerë që u përpoqën ta ndihmonin. Ajo kujton se pas çdo pacienti ndodhet një njeri dhe se pas çdo gruaje shtatzënë qëndron një nënë.
