Gjatë korrikut, transporti ajror në Kosovë u përdor nga më shumë se 475 mijë udhëtarë.
Të lidhura
None found
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i pasagjerëve ishte 3,8 për qind më i lartë se në korrik të vitit të kaluar.
Statistikat tregojnë se gjatë korrikut 2026 u kryen 3 mijë e 254 fluturime, ose 4,5 për qind më shumë në krahasim vjetor.
Në të kundërtën, transporti hekurudhor regjistroi më pak udhëtarë.
Numri i pasagjerëve që udhëtuan me tren gjatë korrikut ishte 7 mijë e 126, duke shënuar ulje prej 5,9 për qind kundrejt së njëjtës periudhë të vitit paraprak.
Gjatë korrikut nuk pati transport të mallrave përmes hekurudhës.
Rritje u shënua edhe në numrin e përdoruesve të telefonisë fikse dhe mobile. Telefonia fikse kishte 70 mijë e 104 përdorues, 3,2 për qind më shumë se një vit më parë.
Trafiku i telefonisë fikse arriti në 2 milionë e 318 mijë e 571 minuta, çka përbën rritje prej 9,7 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.
Ndërkohë, telefonia mobile regjistroi 1 milion e 679 mijë e 450 përdorues me parapagim.
ASK bëri të ditur se kjo kategori u rrit për 3,55 për qind.
Përdoruesit me kontratë arritën në 323 mijë e 728. Në raport me korrikun e vitit të kaluar, kjo shifër u rrit për 1,37 për qind.
